560 dosjet e pacientëve të dorëzuara nga Zhan Mitrev, autoriteteve shëndetësore mund t’i merr kohë mbi 1 vit për t’i shqyrtuar se si kjo metodë e paautorizuar mund të ketë qenë shkaktar i disa vdekjeve.
Faktori kohë, do të mbajë frymën e qindra familjeve që gjatë pandemisë kanë humbur të afërmit në Klinikën Zhan Mitrev. Në takimin e sotëm me gazetarët, Ministri i Shëndetësisë Bekim Sali tha se së paku 8 ekspertë nga 4 klinika do të ndajnë lëndët voluminoze për t’i shqyrtuar parregullsitë eventuale.
“Bëhet fjalë për dy grupe të formuara nga katër klinika: Kardiokirurgjia, Klinika Infektive, Kujdesi Intensiv dhe Nefrologjia. Ata ekspertë do të analizojnë çdo rast individual dhe duhet të shkruajnë një raport për çdo rast individual. 560 raste do të duhet kohë që më në fund t’i japim publikut një raport përfundimtar”, Ministria e Shëndetësisë.
Meqenëse disa pacientë u janë nënshtruar dy-tri herë metodës së hemo-filtrimit, parashihet që mbi 1 mijë herë pastrimi i gjakut është shitur nga klinika si metodë kuruese anti-kovid, megjithëse nuk parashihet në protokollet shëndetësore të OBSH-së si formë gjatë trajtimit të pacientëve me Kovid-19.
Paralelisht llogaridhënia pritet nga pesë institucione.
“Analizën e trajtimit të tyre do ta bëjnë institucione të lidhura me Ministrinë e Shëndetësisë, përkatësisht Inspektorati Shtetëror Sanitar Shëndetësor, Oda e Mjekëve, Agjencia e Barnave MALMED, Komisioni i Infeksioneve Intra-spitalore dhe Komisioni profesional”, Ministria e Shëndetësisë.
Nga ana tjetër, Prokuroria Publike nuk zbulon asnjë detaj për procedurën para-hetimore që po zhvillon. Nga organi akuzës thonë se sipas Ligjit për procedurë penale, veprimet e prokurorit publik në kuadër të hetimeve paraprake janë sekrete dhe për ato arsye në këtë fazë të procedurës nuk mund të ndahen më shumë detaje me publikun për të mos e dëmtuar hetimin.
I gjithë ky skandal doli nga dokumentari i Laboratorit të gazetarisë hulumtuese IRL, të cilët 24 familje dëshmojnë se janë detyruar të paguajnë shuma të majme 12-25 mijë euro për trajtim të pacientëve nga infketimi i virusit korona, që më pas të ju vdesin nga infeksionet inter-klinike bakteriale, siç dyshohet të shkaktuara nga metoda e filtrimit të gjakut, gjë e cila u bë studim eksperimental pa dijeni të familjeve./Alsat.mk