Përmbytjet, reshjet intensive dhe erërat e fuqishme kanë shoqëruar një stuhi që ka përfshirë verilindjen e Shteteve të Bashkuara, duke lënë disa zona edhe pa furnizim me energji elektrike.
Të lidhura
None found
Të shtunën, rreth 100 mijë shtëpi ishin pa rrymë. Autoritetet paralajmëruan se rreziku nga kushtet e motit do të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme. Në territoret e goditura jetojnë dhjetëra miliona njerëz, ndërsa ndikimi i stuhisë në rajonin e Atlantikut të Mesëm dhe në New England parashikohet të zgjasë gjatë gjithë fundjavës.
Bob Oravec, meteorologu kryesor i Shërbimit Kombëtar të Motit në College Park, Maryland, parashikoi për ditët në vijim erëra me intensitet të lartë, baticë të lartë dhe mundësi reshjesh të dendura në verilindje të SHBA-së. Në Surf City, qytet bregdetar i New Jersey-t, rrugët u mbuluan nga uji, i cili depërtoi edhe në disa shtëpi.
Apel për kujdes kanë bërë autoritetet e disa shteteve përgjatë bregut lindor, duke u kërkuar qytetarëve të ndjekin parashikimet meteorologjike. Megjithëse New England përjeton jo rrallë stuhi të tilla në vjeshtë, këtë herë ajo ka ardhur më herët se zakonisht gjatë sezonit.
Guvernatori i Delaware, Matt Meyer, u bëri thirrje banorëve të informohen vazhdimisht mbi ecurinë e situatës. Për guvernatoren e New York-ut, Kathy Hochul, rreziku më i madh lidhet me përmbytjet në bregdet. Ajo paralajmëroi gjithashtu për shi të dendur, erëra të forta dhe dallgë me lartësi deri në gjashtë metra.

Në një deklaratë të shtunën në mëngjes, Hochul tha se reshjet kishin filluar dhe se, ndonëse deri në atë moment ishin regjistruar vetëm rreth 1.3 centimetra shi, pritej një sasi shumë më e madhe.
Në bregdetin e New Jersey-t, pronari i një marine, Kenny Formica, po përpiqej ta monitoronte gjendjen nga banesa e tij me ndihmën e kamerave të sigurisë. Ndërkohë, uji brenda marinës vijonte të ngrihej. Ai shpjegoi se ndërtesa përmbytet rrallë dhe se rasti i fundit i ngjashëm që mbante mend ishte uragani Sandy, gjatë të cilit, sipas tij, biznesi pësoi dëme prej më shumë se 4 milionë dollarësh.
Përpara se të mbërrinte stuhia, stafi kishte përforcuar litarët me të cilët ankoroheshin varkat dhe kishte larguar pajisjet e sendet që rrezikonin të dëmtoheshin. Kamionët dhe mjetet e marinës ishin vendosur në pikën më të lartë të pronës, por mëngjesin e së shtunës uji pothuajse i kishte rrethuar edhe ato.
Gjatë atij mëngjesi, Formica mori mesazhe nga klientë që i tregonin se varkat dhe mjetet e tyre të ujit nuk gjendeshin më. Rreth orës 04:00, një klient i kishte nisur një video të varkës së vet, 7.6 metra të gjatë, pasi ajo ishte shkëputur nga ankorimi.
Duke përshkruar humbjen, Formica tha se varka peshonte rreth 3.6 tonë, kishte vlerë 150 mijë dollarë dhe ishte zhdukur.
Përmbytje pati edhe në Edgewater të New Jersey-t, pranë lumit Hudson, ku një parking i madh me makina u pushtua nga uji. Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale tregonin një automjet thuajse të zhytur plotësisht, me vetëm çatinë panoramike mbi ujë. Në të njëjtën kohë, njerëzit përpiqeshin të largonin makinat e tjera nga zona e përmbytur.
Moti i rënduar ka sjellë ndryshime në planet e shumë njerëzve dhe ka ndërprerë udhëtimet ajrore. Aeroporti Logan i Bostonit regjistroi qindra anulime fluturimesh, ndërsa nuk u krye as pjesa më e madhe e fluturimeve për në destinacionet turistike Martha’s Vineyard dhe Nantucket.
Ndryshime pati edhe në kalendarin sportiv. Boston Red Sox dhe Chicago Cubs, që po përgatiteshin për play-off-in gjatë fundjavës së fundit të sezonit të rregullt të Major League Baseball, u detyruan të riorganizonin ndeshjet për shkak të stuhisë.

Për t’i paraprirë motit të keq, skuadrat zhvilluan të premten në Boston një ndeshje të dyfishtë. Më pas, MLB vendosi ta zhvendoste takimin përmbyllës të serisë, të planifikuar për të dielën, në stadiumin e Tampa Bay Rays në Florida. Gjithashtu, Ed Sheeran anuloi dy koncertet që do të mbante të premten dhe të shtunën në stadiumin Gillette, në Foxborough të Massachusetts.
Në jug, planet e dasmës së Jayden Sink dhe Kimberly Laprad u penguan nga bllokimi i një autostrade në ishullin Hatteras, në Karolinën e Veriut. Çifti nga Virxhinia kishte mbërritur në ishull përpara stuhisë, por rreth 45 të ftuar nuk mundën të kalonin rrugën e mbyllur dhe mbetën në anën tjetër.
Një kamping i zonës u ofroi një hapësirë tjetër për ceremoninë, kabina dhe një person që të drejtonte dasmën. Për muzikën u ofrua të kujdesej një DJ.
