Si ndodhi aksidenti në Kroaci ku vdiqën 10 shqiptarë, Prokuroria zbulon detaje të reja

Prokuroria në Slavonski Brod të Kroacisë ka ngritur aktakuzë kundër shoferit të autobusit që u aksidentua më 25 korrik të vitit të kaluar, ku mbetën të vdekur 10 shqiptarë të Kosovës.

Aksidenti dyshohet se ka ndodhur për shkak të pakujdesisë së shoferit.

“I akuzuari 52-vjeçar akuzohet se me datë 25.07.2021 rreth orës 6 ka vozitur autobusin Setra me targa të Kosovës në korsinë e djathtë në drejtim të lindjes, gjegjësisht në korsinë jugore të autostradës A3, afër Sibinjit: 15, në kundërshtim me dispozitat e nenit 47 paragrafi 2 i Ligjit për Sigurinë e Trafikut Rrugor. Ai akuzohet se, duke besuar në mënyrë të pakujdesshme se nuk do të rrezikonte përdoruesit e tjerë të rrugës, është kthyer nga pjesa e pasme e autobusit ku ka dëgjuar zhurmë, kështu që nuk ka mundur të ndiqte situatën e trafikut para tij apo drejtimin e autobusit”, raporton Index.hr, transmeton Express.

Tutje, bëhet e ditur se shoferi i autobusit nga Kosova akuzohet se më pas ka marrë kthesën majtas dhe ka frenuar, gjë që ka shkaktuar rrëshqitje dhe përmbysje të autobusit.

“Ai akuzohet se më pas ka marrë kthesën majtas dhe ka frenuar, gjë që ka shkaktuar rrëshqitje dhe përmbysje të autobusit, me ç’rast dhjetë pasagjerë kanë mbetur të vdekur dhe njëmbëdhjetë janë lënduar rëndë në vendngjarje si pasojë e lëndimeve të shumta të rënda”, ka njoftuar Prokuroria.

Shoferi fillimisht ishte ndaluar për një muaj paraburgim nga Gjykata në Slavonski Brod, ndërkaq paraburgimi i ishte zgjatur deri më 22 nëntor.

Ai më pas është liruar për t’u mbrojtur në liri./GazetaExpress


Shtuar 19.01.2022 10:59