Shtëpia e Bardhë: Biden pranon të takohet me Putin nëse nuk pushton Ukrainën

Presidenti amerikan Joe Biden ka rënë dakord që të takohet me presidentin rus Vladimir Putin, me kusht që ky i fundit të mos pushtojë Ukrainën.

Lajmin e bëri të ditur sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, përmes një deklarate për shtyp.

Ky samit i mundshëm, sipas një deklarate të Pallatit Elysee, u propozua nga presidenti francez Emmanuel Macron, raporton CNN, përcjell abcneës.al.

Takimi, siç tha Psaki, do të ndodhë pasi sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken dhe ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov të takohen më 24 shkurt.

“Presidenti Biden pranoi në parim një takim me Presidentin Putin pas këtij angazhimi, përsëri, nëse një pushtim nuk ka ndodhur,” tha Psaki në një deklaratë me shkrim të dielën në mbrëmje.

“Ne jemi gjithmonë gati për diplomaci. Ne jemi gjithashtu të gatshëm të imponojmë pasoja të shpejta dhe të rënda nëse Rusia në vend të kësaj zgjedh luftën. Dhe aktualisht, Rusia duket se po vazhdon përgatitjet për një sulm të plotë ndaj Ukrainës shumë shpejt”, shtoi ajo./albeu.com/


Shtuar 21.02.2022 08:32