Shqipëria voton sot! 7500 efektivë zbarkojnë në terren për të garantuar procesin

Shqipëria voton sot! Shqiptarët do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur qeverinë e 4 viteve të ardhshme.

Burimet bëjnë me dije se mbi 7500 efektivë të Policisë së Shtetit do të angazhohen për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor gjatë ditës së sotme në të gjithë Shqipërinë.

Të gjithë efektivët që do të jenë pranë qendrave të votimit do të ndjekin me përpikmëri udhëzimet që kanë marrë gjatë trajnimit të zhvilluar më parë, nga ekspertë ndërkombëtare të monitorimit të proceseve zgjedhore.

Po ashtu do të jenë  5.427 punonjës të policisë që do të angazhohen me shërbim për ruajtjen e objekteve zgjedhore në të gjithë Shqipërinë.

Është përgatitur dhe miratuar Urdhri i Përbashkët i Ministrit Brendshëm dhe Ministrit të Mbrojtjes, si dhe Urdhri i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, për marrjen në ruajtje të 74 objekteve të rëndësishme shtetërore, nga forcat “Komando”. Sipas policisë këto objekte do të ruhen deri ditën e martë. /albeu.com/

Shtuar 25.04.2021 07:48