Një klerik i njohur dhe mbështetës i talibanëve, është vrarë në një shpërthim në Kabul, ka thënë një zëdhënës i Qeverisë së udhëhequr nga talibanët. Rahimullah Haqqani është vrarë “në një sulm të kryer nga armiku” në shkollën e tij fetare, ka thënë zëdhënësi i talibanëve. Qeveria e talibanëve nuk ka dhënë hollësi tjera për sulmin.
Grupi ekstremist, Shteti Islamik (IS) e ka marrë përgjegjësinë për sulmin, sipas një postimi që ka bërë në kanalin Telegram. Radio Azadi – shërbim i Radios Evropa e Lirë – ka thënë se një person me aftësi të kufizuara e ka sulmuar Haqqanin dhe të paktën gjashtë persona tjerë janë vrarë.
Haqqani, me origjinë nga provinca Nangarhar, ka qenë mbështetës i rëndësishëm për talibanët. Ai është njohur për diskutimet e zjarrta fetare.
Talibanët kanë marrë pushtetin – për herën e dytë – në mesin e gushtit të vitit të kaluar, ndërsa ushtria amerikane i ka dhënë fund misionit të saj në Afganistan më 30 gusht të vitit 2021. Forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kanë rrëzuar talibanët nga pushteti në tetor të vitit 2001.
Talibanët kanë qenë duke strehuar atëbotë Osama Bin Laden dhe figura tjera të Al-Kaidës, të lidhura me sulmet e 11 shtatorit të po atij viti në Shtetet e Bashkuara, nga të cilat kanë mbetur të vdekur rreth 3.000 njerëz./REL