Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri (DIHA), ka reaguar për paketën e re fiskale. Në një deklaratë për mediat DIHA, ngre shqetësimin për mungesën e konsultimit dhe ndikimit që pritet të kenë ndryshimet e propozuara për investitorët gjermanë.
“Si përfaqësuese e biznesit gjerman në Shqipëri, DIHA është veçanërisht e vëmendshme ndaj ndikimit që ndryshimet e propozuara kanë mbi investitorët gjermanë, investimet ekzistuese dhe tregtinë ndërmjet Gjermanisë dhe Shqipërisë, të cilat varen nga kushte tatimore të qëndrueshme dhe të parashikueshme për planifikimin afatgjatë.
Të lidhura
None found
DIHA shpreh keqardhjen që komuniteti i biznesit nuk u përfshi në procesin e hartimit të paketës. Projektligjet nuk u publikuan për konsultim publik, siç parashikohet nga legjislacioni për njoftimin dhe konsultimin publik, ndërsa tekstet përfundimtare iu paraqitën Këshillit Tatimor vetëm pak kohë përpara dorëzimit në Parlament.
Ndryshime të kësaj natyre dhe përmase, të cilat parashikohet të hyjnë në fuqi më 1 janar 2027, do të përfitonin nga një proces konsultimi i hershëm dhe transparent, duke u dhënë mundësi palëve të interesuara të paraqesin propozimet e tyre dhe bizneseve kohën e nevojshme për të përshtatur kontratat, sistemet, buxhetet dhe planet e investimit. Një kuadër tatimor i parashikueshëm mbetet një nga faktorët kryesorë që investitorët gjermanë dhe të huaj marrin në konsideratë kur vendosin se ku të investojnë”, theksohet në deklaratë.
Ndëer të tjera, DIHA vlerëson se projektpaketa e dërguar në Parlament ka marrë parasysh kërkesën e përfaqësuesit të saj në Këshillin Tatimor për të mos rritur normën e tatimit mbi fitimin e korporatave, duke dëshmuar qartë vlerën e dialogut.
Por në njëjtën kohë, projektpaketa përfshin dispozita që nuk iu nënshtruan konsultimit, siç është trajtimi i huave ndaj ortakëve apo aksionarëve si dividendë të konsideruar.
“Dispozita të tilla, të cilat ndikojnë në financimin e përditshëm të shumë shoqërive tregtare, veçanërisht të grupeve të kompanive dhe bizneseve familjare, meritojnë të njëjtin diskutim të hapur si pjesa tjetër e paketës”, theksohet ndër të tjera.
Në të njëjtën kohë, DIHA shpreh shqetësimin se këto masa financohen kryesisht përmes rritjes së taksave mbi biznesin dhe konsumin.
Rritja e tatimit mbi dividendët ul atraktivitetin e investimeve në kapital në Shqipëri dhe mund të dobësojë pozicionin e vendit në raport me vendet fqinje të Ballkanit Perëndimor, të cilat konkurrojnë për të tërhequr të njëjtat investime, veçanërisht në sektorin industrial.
Rritja e normës standarde të TVSH-së ka gjasa të reflektohet në çmimet e konsumit dhe të zbehë pjesërisht përfitimin e pritshëm nga ulja e TVSH-së për produktet ushqimore.
Rritja e normës së TVSH-së për shërbimet turistike dhe ulja e pragut të regjistrimit për TVSH-në do të sjellin kosto shtesë për një sektor kyç të eksportit dhe për shumë biznese të vogla që ende nuk janë të përgatitura për këtë ndryshim.
Kostot më të larta do të ndikojnë gjithashtu në konkurrueshmërinë e furnizuesve shqiptarë, përfshirë shumë anëtarë të DIHA-s, si dhe në mundësitë e tyre për t’u integruar në zinxhirët gjermanë dhe ndërkombëtarë të furnizimit. Të marra së bashku, këto rritje mund të kufizojnë burimet financiare që kompanitë kanë në dispozicion për riinvestime, modernizim dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Ulja e TVSH-së për produktet ushqimore bazë nga DIHA vlerësohet si një masë e rëndësishme sociale dhe suksesi i saj do të varet nga fakti nëse përfitimi do të përcillet realisht te konsumatorët.
“Ulja e tatimit për të ardhurat e shtresës së mesme do t’i ndihmojë kompanitë të mbajnë në Shqipëri punonjësit e kualifikuar, ndërsa eliminimi i dorëzimit të dyfishtë të pasqyrave financiare është një hap i mirëpritur drejt reduktimit të burokracisë”.
Më tej, në DIHA thekson se mbështet plotësisht rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian dhe beson se përafrimi me BE-në duhet të përfshijë gjithashtu një politikë fiskale të gjelbër, pasi dekarbonizimi qëndron në thelb të Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane dhe Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.
“Në këtë frymë, DIHA konsideron se, me heqjen e taksës së qarkullimit dhe transferimin e barrës së saj te taksa vjetore e mjeteve, automjetet elektrike duhet të përjashtohen plotësisht nga pagesa e taksës vjetore të mjeteve. Kjo do të sigurojë që kuadri i ri fiskal të nxisë lëvizshmërinë e pastër dhe të përcjellë një sinjal të qartë në mbështetje të tranzicionit të gjelbër të Shqipërisë.
Në të njëjtën linjë, si alternativë ndaj rritjes së normës standarde të TVSH-së në 21%, DIHA i propozon Qeverisë të shqyrtojë mundësinë e aplikimit të një norme të reduktuar të TVSH-së për energjinë elektrike, e cila në Shqipëri prodhohet pothuajse tërësisht nga burime të rinovueshme dhe për të cilën rregullat e BE-së lejojnë aplikimin e një norme të reduktuar tatimore. Kjo do të sillte përfitime të drejtpërdrejta për familjet dhe do të ulte kostot e energjisë për bizneset.
Për këto arsye, DIHA i bën thirrje me respekt Qeverisë dhe Parlamentit që të zhvillojnë një proces të plotë konsultimi mbi paketën përpara miratimit të saj, të rishikojnë afatet e zbatimit të rritjeve tatimore dhe të dispozitave që ende nuk janë konsultuar, si dhe t’u japin bizneseve një periudhë të arsyeshme tranzicioni për t’u përshtatur me ndryshimet.
DIHA dhe shoqëritë e saj anëtare mbeten të gatshme të kontribuojnë me përvojën dhe ekspertizën e tyre dhe të bashkëpunojnë me Ministrinë e Financave dhe Parlamentin për gjetjen e zgjidhjeve që mbështesin financat e shëndosha publike, një ekonomi shqiptare konkurruese dhe të gjelbër, si dhe rritjen e mëtejshme të investimeve dhe tregtisë gjermane me Shqipërinë”, thuhet në deklaratë./Monitor








