Shkon në 280 numri i viktimave nga përplasja e trenave në Indi

Të paktën 280 persona humbën jetën dhe 900 u plagosën kur dy trena pasagjerësh u përplasën në Odisha të Indisë të premten, sipas zyrtarëve të shtetit lindor të vendit, në aksidentin hekurudhor më vdekjeprurës të Indisë në më shumë se një dekadë.

Sipas zyrtarëve, numri i të vdekurve pritet të rritet. Sudhanshu Sarangi, drejtori i përgjithshëm i departamentit të zjarrfikësve në Odisha, i tha agjencisë Reuters se deri tani ishin gjetur 280 trupa.

Pamjet nga vendi i ngjarjes tregonin ekipet e shpëtimit duke kërkuar në rrënojat e shkatërruara të një prej trenave për të gjetur të mbijetuarit.

Videot e shpërndara në rrjetet sociale tregonin mbërritjen e ambulancave dhe njerëz që nxirrshin nga vagonat e trenit të përmbysur.

Qindra të rinj zunë radhë para një spitali shtetëror në Soro të Odishës për të dhuruar gjak. Ekipet e shpëtimit janë mobilizuar në gjithë vendin, tha ministri federal për Hekurudhat Ashwini Vaishnaw në një postim në Twitter të premten vonë.

Përplasja ndodhi rreth orës 19:00 sipas orës lokale kur një tren ekspres që udhëtonte nga Bangalore në Howrah të Bengalit Perëndimor, doli nga shinat dhe u përplas me Coromandel Express, që udhëtonte nga Kalkuta në Chennai, thanë zyrtarët e hekurudhave.

Kryeministri i Odishas, Naveen Patnaik tha se përparësia e autoriteteve ishte “dërgimi i të mbijetuarve në spitale”.

Kryeministri Narendra Modi tha në një postim në Twitter se operacionet e shpëtimit po vazhdonin dhe se të prekurve po u jepej “e gjithë ndihma e mundshme”.


Shtuar 3.06.2023 07:23