Shkencëtarët tregojnë se kur do të zhduket ari

Një grup shkencëtarësh ka caktuar vitin e zhdukjes së arit: 2050. Ky është përfundimi i Qendrës për Kërkime Ekologjike dhe Aplikime Pyjore të Universitetit Autonom të Barcelonës (CREAF-UAB) dhe Këshillit të Lartë për Kërkime Shkencore (CSIC). Ata kanë publikuar një studim në të cilin reflektojnë se gjatë shekullit të kaluar, nxjerrja e mineraleve të rralla është dyfishuar, gjë që mund të përfshijë rreziqe mjedisore, ekonomike, sociale dhe gjeopolitike.

Punimi, i cili është botuar nga revista “Trends in Ecology and Evolution”, thekson se 70% e elementeve të tabelës periodike që nevojiten për të “ndërtuar botën njerëzore” nuk gjenden më në biomasë. Bëhet fjalë për elementet e përdorura në prodhimin e produkteve sanitare, hekurudhave, aeroplanëve ose telefonave inteligjentë.

“Ka mungesë elementesh pasi në vitet 1900, njerëzit kaluan nga përdorimi i materialeve të zakonshme si balta, guri ose gëlqerja, të cilat riciklohen vazhdimisht në natyrë dhe në atmosferë, në përdorimin e shumë elementeve të tjera, veçanërisht atyre të njohura si materiale të rralla”, tha Jordi Santas, një prej autorëve të studimit, për “EFE”.

“Po shkojmë në një situatë ku 80% e elementeve që përdorim janë nga burime jobiologjike”, paralajmërojnë shkencëtarët.

Në këtë kuptim, një tjetër nga autorët e punimit, profesori Jaume Terradas, ka theksuar se “duhet një përdorim më racional i burimeve të kufizuara të Tokës”.

Nxjerrja e elementeve si ari, bakri apo silikoni është rritur shumë në shekullin XX për shkak të zhvillimit dhe përdorimit të teknologjive të reja. Rritja vjetore e procesit të konsumit dhe nxjerrjes është rreth 3% dhe një prej autorëve të tjerë të studimit, Josep Peñuelas, nënvizon se “rezervat e disa prej këtyre elementeve të mbarojnë në vitin 2050, në rastin e arit dhe në vitin 2100 në rastin e zinkut”.


Shtuar 19.01.2023 22:15