Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin “Vora 2” për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.
Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve E. A. (M)., 37 vjeç dhe A. K., 22 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Në parkingun e një kompleksi në Vorë, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar këta 2 shtetas, të cilëve gjatë kontrollit fizik, iu gjetën dhe sekuestruan 1 kg e 500 gramë lëndë të dyshuar narkotike të llojit kanabis.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, siguronin lëndë të dyshuar narkotike të llojit kanabis dhe më pas e shpërndanin në Kamëz dhe Vorë.
Materialet proceduale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme./Albeu,com