Shevchenko i futet politikës, bëhet këshilltar i Volodymyr Zelensky

Presidenti Volodymyr Zelensky ditën e djeshme ka dekretuar ish-futbollistin e famshëm Andriy Shevchenko si këshilltar të jashtëm. Sipas të dhënave zyrtare të dokumentit nuk jepen detaje rreth detyrave që do të marrë ish futbollisti në kabinetin e presidentit të Ukrainës.

Andriy Shevchenko edhe përpara nisjes së luftës ka qenë aktiv duke reaguar mbi mbrojtjen territoriale të Ukrainës dhe është njohur si një nga zërat kryesor të “Revolucionit të dinjitetit” në vitin 2014, kundra pushtetit të Viktor Yanukovych.

Gjatë karrierës së tij futbollistike, Shevchenko luajti për Dynamo Kyiv, A.C. Milan dhe Chelsea. Ai ka fituar Ligën e Kampionëve të UEFA-s me A.C. Milan në 2003 dhe iu dha Topi i Artë, çmimi më prestigjioz individual i futbollit, në 2004. Ai konsiderohet si një nga futbollistët më të mirë ukrainas të të gjitha kohërave. Në maj 2022, Shevchenko u bë ambasador i platformës së Ukrainës për mbledhjen e fondeve UNITED24.


Shtuar 27.09.2023 09:16