Të paktën katër njerëz kanë vdekur dhe më shumë se 300 të tjerë janë plagosur, pas shembjes së një tribune gjatë një gare me dema në qendër të Kolumbisë.
Në video-incizime është parë që tribuna prej druri, me tri nivele, dhe e mbushur me spektatorë, ka rënë në stadiumin El Espinal.
Një dem është parë duke lëvizur teksa njerëzit kanë ikur në panik.
Ngjarja tradicionale, e njohur në Kolumbi si “correlaja” përfshin anëtarë të publikut, të cilët duhet të hyjnë në ring për të tërhequr vëmendjen e demave.
Në mesin e të vdekurve janë dy gra, një burrë dhe një fëmijë, ka thënë guvernatori i Tolimas, Jose Ricardo Orozco.
Autoritetet shëndetësore rajonale kanë thënë se 322 njerëz janë duke u trajtuar, ndërsa katër prej tyre janë në kujdes intensiv.
Organizimi i së dielës ka qenë pjesë e festivalit shumë të njohur San Pedro.
Presidenti në shkuarje Ivan Duque, ka thënë se do të ketë hetime për rastin, derisa presidenti i zgjedhur, Gustav Petro, u ka bërë thirrje autoriteteve lokale që të ndalojnë organizime të tilla.
“U kërkoj kryetarëve që të mos lejojnë më shumë organizime që përfshijnë vdekjen e njerëzve apo kafshëve”, ka thënë ai.
Sipas tij, kjo nuk është hera e parë që kanë ndodhur incidente të tilla./REL