Shembet “Kafja e Madhe” në Shkodër

Kafja e Madhe në Shkodër, një godinë historike për nga arkitektura por edhe rëndësia kulturore, trashëgimi e monument i kategorisë së parë, është shembur.

Në vitin 2007, Ministria e Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve e shpalli “Monument Kulture të Kategorisë së Parë”, por përveç vendosjes së një pllake, nuk bëri asgjë që të mund të ndalte degradimin e godinës simbol.

Para se të quhej “Kafja e Madhe”, godina pati tre emra: Fillimisht quhej Kafe “Adriatik”.
Më pas u quajt Kafe – Hotel “Park” dhe në fund, me ardhjen e malazezëve “Grand Hotel Savija”. Por gjithnjë, prej përmasave që për kohën nuk mund të imagjinoheshin, për të gjithë ruajti emrin Kafja e Madhe.

Mësohet se ministria ka dhënë leje për restaurimin e monumentit, por deri më tani nuk ka asnjë lloj reagimi nga institucionet publike lidhur me këtë veprim.

Ka pasur propozime të shumta për restaurimin e këtij monumenti të kategori së parë, por vetëm tani kanë filluar punimet, teksa bëhet me dije nga punonjësit se pjesa e shembur nuk ishte e mundur të restaurohej, pasi ishte tepër e amortizuar.


Shtuar 28.05.2021 10:05