Xherdan Shaqiri, ish-kapiten i Zvicrës, ka komentuar paraqitjen e kombëtares helvetike në takimin e saj të parë në Kupën e Botës 2026, ku zviceranët barazuan 1-1 me Katarin.
Sipas ish-yllit të përfaqësueses, kjo skuadër i ka cilësitë e nevojshme për të avancuar nga faza e grupeve dhe pikërisht ky duhet të konsiderohet objektivi minimal i Zvicrës në këtë Botëror.
Të lidhura
None found
“Çdo gjë tjetër do të ishte me siguri një zhgënjim”, ka thënë Shaqiri.
Për herë të parë që prej vitit 2010, Zvicra po luan në një turne të madh pa Shaqirin, i cili u tërhoq nga kombëtarja pas Kampionatit Evropian 2024. Në karrierën e tij me përfaqësuesen, ai shënoi 32 gola me fanellën e Zvicrës.
Shaqiri foli edhe për ndjesinë e të ndjekurit të ndeshjes nga distanca, duke pranuar se për të ishte e pazakonshme të mos ishte pjesë e ekipit.
“Ishte sigurisht e çuditshme për mua, sepse zakonisht jam gjithmonë aty. Nga ana tjetër, isha në gjendje të shikoja gjithçka në qetësi dhe paqe, në rehatinë e shtëpisë sime, dhe ta analizoja të gjithën. Ishte gjithashtu mirë që kisha më pak presion përnjëherë dhe munda ta shikoja ndeshjen në divan. Dhe sigurisht, ishte shumë mirë t’i mbështesja”, thotë Shaqiri.
Ai bëri të ditur gjithashtu se FIFA e kishte ftuar për të qenë pjesë e ceremonisë hapëse të Kupës së Botës në SHBA, Kanada dhe Meksikë, por nuk kishte arritur të merrte pjesë.
“Kisha bërë të gjitha planet e mia. Do të kishte qenë vërtet interesante dhe fantastike të isha atje me të gjitha legjendat e FIFA-s dhe të shihja ceremoninë e hapjes. U thashë se mund të vija për finalen”, deklaroi ai.
Në përmbyllje, Shaqiri nënvizoi se arma kryesore e Zvicrës duhet të jetë fryma e grupit dhe loja si një ekip i bashkuar.
Sipas tij, vetëm nëse Zvicra paraqitet në fushë si një grup i unifikuar, mund të arrijë sukses.
