Serbia pretendon se ka kapur drogë të futu nga Kosova me makinë me logo të “OSBE”, 5 të arrestuar

Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë përmes një komunikate për media ka njoftuar se ka kapur 50 kilogram drogë të llojit marijuanë.

Sipas MPB-së serbe ky thuhet të jetë një aksion ku është shkatërruar një rrjet i kontrabandës që niste nga Shqipëria kalonte nëpër Kosovë dhe përfundonte në Serbi.

Nga ky aksion kanë mbetur të arrestuar pesë persona për shkak të dyshimeve se të njëjtit kanë kryer veprën penale të prodhimit dhe shpërndarjes së paautorizuar të narkotikëve, raporton Express.

Tek të dyshuarit S.M (1993) dhe I.Z (1999) është kapur një sasi e drogës prej 30 kilogramëve, derisa tek të arrestuarit tjerë A.D (1980), G.K (1973) dhe G.K (1981) është gjetur pjesa tjetër e marijuanës dhe pak kokainë.

Siç njofton Ministria e Brendshme e Serbisë tre të arrestuarit e fundit e kishin dërguar sasinë e drogës nga Kosova në Serbi me një makinë e cila ishte e shënuar me shenjën e misionit të “OSBE”-së, raporton Express.

Këta tre të fundit janë arrestuar derisa kanë tentuar të largohen nga vendi i ngjarjes ku ishte planifikuar ta linin dërgesën.

“Të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit deri në 48 orë, pas së cilës me kallëzim penal do t’i dorëzohen Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd”, thuhet në njoftim./express

Shtuar 17.09.2022 10:44