Numri i saktë i shqiptarëve që jetojnë në Serbi nuk dihet, sepse ata nuk kanë marrë pjesë në regjistrimin e popullsisë. Por në zgjedhjet e fundit kanë marrë tre deputetë. Përkundër këtij fakti të drejtat e tyre dhe zhvillimi në Luginën e Preshevës nuk kanë bërë progres të madh. Shumë banorë të Luginës së Preshevës varen nga diaspora e shpërngulur prej vitesh në shtetet e Bashkimit Evropian dhe një pjese në Kosovë. Ekonomia këtu ka stagnuar prej vitesh dhe shumica e fabrikave të kohës së ish-Jugosllavisë kurrë nuk janë rikthyer në funksion.
Kryetarja e Bashkisë së Preshevës, Ardita Sinani, thotë se qyteti i saj hyn tek komunat me papunësinë më të lartë prej mbi 70 për qind. Edhe ata që kanë paga hyjnë tek pagat më të ulëta në nivel shteti. Nga shumë fabrika të hapura nëpër Serbi, këtu nuk ka arritur asnjë dhe krijimi i vendeve të reja të punës nuk është i lehtë.
“Nuk ka asnjë politikë shtetërore që stimulon ardhjen e investitorëve të huaj. Në këtë drejtim sektorët punëdhënës janë kryesisht administrata shtetërore dhe ekonomitë e vogla private të cilat po rrezikohen ҫdo ditë e më shumë.” thotë Ardita Sinani.
Pro pjesëmarrjes në zgjedhje
Shumica e partive shqiptare janë pro pjesëmarrjes në zgjedhje, përveҫ njerës parti. Shqiptarët janë pjesë e dy listave të ndara të cilat garojnë për vende në parlament. Ata rrallë votojnë në zgjedhjet për president.
Shqiprim Arifi, ish-kryetar i Preshevës udhëheq garën për deputet të koalicionit “Alternativa Demokratike shqiptare”. Arifi, i lindur në Gjermani, thotë se në Beograd shkon me idenë e zgjidhjes së problemeve që i mundojnë shqiptarët prej tri dekadave.
Ai premton se do të gjejë zgjidhje për të drejtat e tyre në forma demokratike. “Për ne, për listën tonë është me rëndësi që theks të veҫantë t’i japim pasivizimit të shqiptarëve. Për mua si kandidat për deputet është me rëndësi që të lobojmë, të flasim, të diskutojmë në parlament dhe të arrijmë me qeverinë serbe një stopim të pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës.” – thotë Arifi.
Lista tjetër udhëhiqet nga Shaip Kamberi, një deputet që u duk i zëshëm në mandatin e fundit të Kuvendit të Serbisë. Ai bashkë me “Koalicionin e shqiptarëve të Luginës”, kërkon një mandat të ri. Shaip Kamberi shpreson për pjesëmarrje masive të shqiptarëve në zgjedhje përfshirë edhe ata që përkohësisht janë shpërngulur nga vendlindja. “Edhe për të dëshmuar se shqiptarët nuk dorëzohen në betejën e tyre politike për realizimin e të drejtave, për më shumë liri, për barazi, për respektim të simboleve, për respektim të gjuhës dhe për integrim të barabart dhe participim të barabart në organet shtetërore. Pra, përmes kësaj, përveҫ statistikave ne me pjesëmarje dëshmojmë edhe për faktin se sa shqiptarë jetojnë në Luginë të Preshevës”, thotë Shaip Kamberi./DW/