Norvegjia do të ndjekë udhëheqjen e Bashkimit Evropian (BE) dhe do të mbyllë portet e saj për anijet ruse, me përjashtim të anijeve të peshkimit, tha të premten qeveria norvegjeze.
Ndalimi i ankorimit në portet norvegjeze të anijeve me flamur rus do të hyjë në fuqi më 7 maj dhe nuk do të prekë anijet e peshkimit, shumë prej të cilave zbrazin gjahun e tyre në bregun norvegjez ose në arkipelagun norvegjez Svalbard.
Ky vend verior nuk është anëtar i BE-së, por ka miratuar pothuajse të gjitha sanksionet e Bashkimit Evropain kundër Rusisë – shpesh me vonesa të vogla – që kur Kremlini filloi një pushtim të Ukrainës më 24 shkurt.
Norvegjia njoftoi të premten se do të zbatonte grupin e pestë të sanksioneve, për të cilin është pajtuar blloku 27-anëtarësh, tre javë më parë, më 7 prill.
Kjo përfshin ndalimin, me disa përjashtime, për transportin rrugor të mallrave nga Rusia, me të cilën Norvegjia ndan kufirin e Arktikut, përmes vendkalimit Storsko ndërmjet dy vendeve.
Që nga viti 1976, sipas një marrëveshjeje të nënshkruar në kulmin e Luftës së Ftohtë, Norvegjia dhe Rusia janë pajtuar për kuotat për të kapur disa lloje peshqish në Detin Barents, që është shtëpia e rezervave të vlefshme të merlucit.
Oslo tha se përjashtimi u bë për anijet e peshkimit, në përputhje me sanksionet e BE-së./albeu.com