Deputeti demokrat Ervin Salianji ka reaguar pasi SPAK lëshoi urdhër-arrest ndaj ish-kryebashkiakut të Durësit, Vangjush Dako.
Salianji e ka cilësuar këtë një zhvillim pozitiv për rritjen e fuqisë goditëse dhe hetimeve të SPAK tek personat me pushtet politik dhe lidhje me qeverinë.
Ai inkurajon SPAK dhe institucionet e drejtësisë që ky të mos jetë rasti i fundit në goditjen me themel të mafies politike.
Deklarata e plotë:
Pavarësisht se i vonuar, arrestimi i Vangjush Dakos është zhvillim pozitiv për rritjen e fuqisë goditëse dhe hetimeve të SPAK tek personat me pushtet politik dhe lidhje me qeverinë!
Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar, ne kemi denoncuar prej vitesh abuzimet skandaloze, korrupsionin masiv, deformimin e vullnetit të zgjedhësve, shkatërrimin e zgjedhjeve, betonizimin e Durrësit, shpërblimin e grupeve kriminale me ofiqe qeveritare dhe pasuri publike!
Dako është një prej zbatuesve në terren të involvimit dhe përfshirjes së krimit në zgjedhje, në shkatërrimin dhe vjedhjen e tyre, pamundësinë për të garuar për shkak të shpërblimit masiv dhe lehtësimit që i bente grupeve të krimit të organizuar!
Strategjia për ta shitur bashkëpunimin me krimin si normalitet politik synonte dhe synon të mpijë reagimin e shoqërisë, qeveria ka imponuar pranimin e krimit si standard duke asgjesuar votën dhe praktikisht asgjesuar demokracinë në vend!
Të shpresojmë dhe inkurajojmë SPAK dhe institucionet e drejtësisë që ky mos jetë rasti i fundit por i pari që nis goditjen me themel të mafias politike që dhunon gjatë zgjedhjeve dhe zhvat dhe komandon qytetarët më pas!