Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit u takua me ambasadorin e Turqisë në vendin tonë, Tayyar Kağan Atay.
Lajmin e bëri të ditur vetë policia, përmes një njoftimi në Facebook.
Sipas policisë, ky takim kishte në fokus zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët për të dy vendet.
Njoftimi i Policisë:
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit u takua me ambasadorin e Turqisë në vendin tonë, Tayyar Kağan Atay. Në fokus të takimit ishin vlerësimi i bashkëpunimit të deritanishëm, si dhe zgjerimi e forcimi i bashkëpunimit në të ardhmen, ndërmjet Policisë shqiptare dhe asaj turke, në fusha me interes të përbashkët dhe veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar, krimeve kibernetike dhe terrorizmit.
Drejtori i Përgjithshëm e falënderoi ambasadorin për vizitën dhe e ka njohur atë me prioritetet që Drejtori ka për të reformuar Policinë e Shtetit, me qëllim vendosjen e standardeve të reja, ndryshimin e metodologjisë së punës, krijimin e një qasjeje të re në raport me qytetarët dhe ndjekjen e problematikave dhe shqetësimeve të tyre.
Ambasadori Atay e ka uruar Drejtorin e Përgjithshëm për detyrën dhe i ka ofruar atij mbështetjen e plotë të Policisë turke dhe të ambasadës së Turqisë në Tiranë. Ambasadori turk i dorëzoi Drejtorit të Përgjithshëm edhe një letër urimi nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Turqisë./albeu.com/