Rrëzimi i helikopterit të EUFOR-it në Bosnje, Ferit Hoxha: Shqipëria në mbështetje të Italisë

Pas aksidentit të helikopterit të EUFOR-it pranë Brçkos, në Bosnje-Hercegovinë, ku tre persona humbën jetën dhe 12 të tjerë u plagosën, ka reaguar ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha.

Përmes një postimi në rrjetin social X, Hoxha përcolli ngushëllimet për familjet e viktimave dhe shprehu solidaritetin e Shqipërisë me Italinë, si edhe me të gjithë komunitetin e EUFOR-it.

Të lidhura

None found

“Me trishtim të thellë mora lajmin për ngjarjen tragjike pranë Brçkos në Bosnje-Hercegovinë, ku u përfshi një helikopter i EUFOR-it dhe humbën jetën tre persona, ndërsa 12 të tjerë u plagosën.

U shprehim ngushëllimet tona të sinqerta familjeve të viktimave, Qeverisë dhe popullit të Italisë. Mendimet tona janë me të gjithë të plagosurit, të cilëve u dëshirojmë shërim të shpejtë dhe të plotë.

Në këtë çast të vështirë, Shqipëria i qëndron pranë Italisë, vendit mik dhe aleatit tonë në NATO, si dhe gjithë komunitetit të EUFOR-it. Personeli shqiptar shërben me krenari së bashku me kolegët italianë dhe ushtarakë të tjerë, në kuadër të përpjekjes së përbashkët për paqen dhe stabilitetin në Bosnje-Hercegovinë”, shkroi Hoxha.


Shtuar më 29.10.2026 20:50