1000 jetë politike për Netanyahu-n, “magjistari i tmerrshëm” në kërkim të aleatëve

Të dhënat paraprake nga zgjedhjet parlamentare në Izrael e nxjerrin kryeministrin veteran Benjamin Netanyahu përpara rivalit të tij, ish-shefit të ushtrisë Gadi Eisenkot. Megjithatë, Netanyahu ende nuk e ka arritur numrin e nevojshëm të mandateve për të formuar qeverinë.

Pas numërimit të 85% të votave, Likud-i i Netanyahut, së bashku me aleatët e tij të ekstremit të djathtë dhe partitë hebraike ultraortodokse, parashikohet të marrë 53 vende në Knesset, i cili përbëhet nga 120 deputetë.

Të lidhura

None found

Në kampin tjetër, partia Yashar e Eisenkotit dhe tri forca të tjera hebraike të opozitës pritet të sigurojnë së bashku 48 mandate. Të dy udhëheqësit kanë bërë të ditur se do të tentojnë të ndërtojnë koalicione për të arritur shumicën parlamentare.

Një rezultat me peshë në këto zgjedhje pritet të jetë ai i partive të drejtuara nga arabët. Ato mund të marrin 19 mandate në total, shifër rekord që mund t’u japë rol përcaktues në krijimin e qeverisë. Pavarësisht kësaj, pothuajse të gjitha partitë hebraike kanë përjashtuar bashkëpunimin me to.

Pas shpalljes zyrtare të rezultateve, presidenti izraelit Isaac Herzog do të zhvillojë konsultime me përfaqësuesit e të gjitha forcave politike. Më pas, ai do t’ia ngarkojë formimin e qeverisë liderit që, sipas vlerësimit të tij, ka mundësitë më të mëdha për të siguruar shumicën.

Ky proces mund të marrë disa javë. Në rast se asnjë prej kandidatëve nuk arrin të krijojë një koalicion qeverisës, Izraeli mund të shkojë sërish në zgjedhje. Ndërsa Netanyahu vazhdon të kryesojë garën, analistët po përpiqen të shpjegojnë se si ka arritur të ruajë edhe një herë pozitat e tij politike.

Sipas analistëve, nofka “Magjistari” lidhet me aftësinë e tij për t’u shpëtuar krizave dhe për të ndërtuar aleanca politike. Në të njëjtën kohë, ai është përpjekur të drejtojë narrativën lidhur me dështimin e sigurisë më 7 tetor 2023. Netanyahu ka kundërshtuar një hetim të plotë për atë ngjarje dhe ka argumentuar se Izraeli ndodhej në luftë.

Kontrolli i mesazhit politik, aftësia për të negociuar dhe krijimi i koalicioneve duket se vazhdojnë të jenë shtyllat kryesore të strategjisë së tij për të qëndruar në pushtet.


Shtuar më 29.10.2026 19:18