Dy drejtues mjetesh lundruese janë ndëshkuar me gjoba të rënda dhe u janë sekuestruar gomonet, pasi u kapën duke lëvizur në afërsi të brigjeve, duke vënë në rrezik jetën e pushuesve në zonat bregdetare të Vlorës. Shuma e gjobave arrin në më shumë se 1 milion lekë.
Rasti i parë u zbulua pas një sinjalizimi se një gomone po lundronte pranë bregut në plazhin e Potamit. Forcat e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin (DVKM) Vlorë reaguan menjëherë për identifikimin e mjetit dhe pilotit të tij. Gomonia u gjend në plazhin e Drimadhes, ku edhe u bllokua, ndërsa drejtuesi, shtetasi me inicialet H. L., u gjobit me 500 mijë lekë.
Të lidhura
None found
Ndërkohë, gjatë patrullimeve përgjatë vijës bregdetare, uniformat blu vunë re një tjetër gomone që lëvizte në mënyrë të rrezikshme pranë bregut në zonën e njohur si “Plazhi i Hidrovorit”. Edhe ky mjet u ndalua dhe u konfiskua, teksa drejtuesit të tij, shtetasit E. Sh., iu shqiptua një gjobë prej 510 mijë lekësh. Nga kontrollet rezultoi se atij i mungonin dokumentet e detyrueshme ligjore në bord.
Në njoftimin e saj, Policia Kufitare theksoi se DVKM Vlorë është e angazhuar në kontrolle, verifikime dhe reagim të menjëhershëm ndaj çdo informacioni qytetar, me synim parësor garantimin e sigurisë detare. Sipas këtij njoftimi, dy gomonet u bllokuan dhe drejtuesit u gjobitën përkatësisht me 500 000 dhe 510 000 lekë, për shkak se rrezikuan pushuesit duke lundruar afër bregut dhe, në një rast, pa pasur dokumentacionin e nevojshëm në bord.
Policia bën me dije se patrullimi do të vazhdojë në të gjithë hapësirën detare të qarkut Vlorë. Ajo u bën thirrje qytetarëve, pushuesve dhe vizitorëve që të raportojnë menjëherë çdo paligjshmëri që cenon sigurinë detare dhe atë publike, duke i siguruar se ndërhyrja do të jetë e menjëhershme dhe në përputhje me ligjin.
