Rithemelimi, Kruja: Do të zgjedhim edhe Këshillin e ri Kombëtar, delegatët janë përzgjedhur

Më 30 prill Partia Demokratike mbledh Kuvendin Kombëtar, gjatë të cilit do të vendoset edhe data për zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë.

I ftuar në “Log” me Endri Xhafon, anëtari i Komisionit të Rithemelimit, Keltis Kruja tregoi që gjatë punimeve të këtij Kuvendi do të ketë disa ndryshime statutore që sipas tij janë propozuar nga grupe interesi dhe nga degët.

Siç është thënë edhe më herët numri i delegatëve në sallën e Pallatit të Kongreseve do të jetë 1,100. Po ashtu, Kruja tha se në Kuvend do të zgjidhet edhe Këshilli i ri Kombëtar i PD-së, që është edhe organi më i lartë i partisë mes dy kuvendeve.

Nesër do të bëhen publikë edhe emrat e anëtarëve të këtij Këshilli. Sipas anëtarëve të “Rithemelimit”, delegatët dhe anëtarët e Këshillit Kombëtar janë të zgjedhur.

“Ndryshimi i madh është që jemi përpjekur që Kuvendit Kombëtar t’i japim rëndësinë e duhur, e ta çojmë te vota e përfaqësuar…ata që vijnë, do të vijnë si përfaqësues të atyre strukturave që i kanë votëbesuar.”

Duke u kthyer tek Këshilli Kombëtar, 150 do të jetë numri i të zgjedhurve dhe kandidaturat do të jenë jo më pak sesa dyfishi i atyre që do të zgjidhen./albeu.com


Shtuar 28.04.2022 22:24