Redi Muçi dhe Ardit Bido përplasen sërish në Kuvend për Zvërnecin dhe Çamërinë: “Fry fyellit se je në vrimën e gabuar”

Seanca plenare u tensionua sërish nga një debat i ashpër mes deputetit të Partisë Socialiste, Ardit Bido, dhe deputetit të “Lëvizja Bashkë”, Redi Muçi, në diskutimet për Zvërnecin dhe Çamërinë.

Përplasja u zhvillua me ndërprerje dhe tone të forta nga të dyja palët, duke rritur tensionin në sallën e Kuvendit.

Të lidhura

None found

Debati

Bido: Për Zvërnecin, për çështjen për të cilën gjoja dolën këta sharlatanë dhe me të drejtë mijëra shqiptarë, që më vonë u larguan nga sheshi dhe lanë pas vetëm sharlatanët. E drejta e pronës për banorët e Zvërnecit është legjitime. Unë jam i vetmi deputet që kam folur me emra, në një kohë kur këta populistë antishqiptarë heshtnin. E përsëris se banorëve të Zvërnecit u takon e drejta e pronës. Sot është një ditë e mirë. SPAK ka nisur hetimet. Është bllokuar edhe shuma e shitblerjes së pronës. Të bësh heshtje politike për Zvërnecin, ndërsa shfaqesh si patriot i madh dhe nuk flet për të drejtat e pronësisë, është sharlatanizëm. Sot në protestë pamë 60 huliganë, jo qytetarë, të nxitur nga sharlatanët, që pritën me vezë në xhep Vangjel Dulen dhe Redi Muçin. Banorët e Zvërnecit kanë të drejtë dhe këtë e mbështet SPAK me vullnetin e PS. Këta sharlatanë që kërkojnë të ndezin gjuhën e urrejtjes nuk kanë vend në politikën shqiptare. Diskriminimi është gjuhë urrejtjeje, është koshi i plehrave që i frymëzon këta dhe që i shtyn të thërrasin për protesta me koshat e plehrave, ndërkohë që në koshin e plehrave të historisë do të mbetet vetëm emri i tyre.

Muçi: Shoku Bido, ti nuk më ndjek në rrjetet sociale, por po ta them sërish se Lëvizja Bashkë, ku bëj pjesë, është e vetmja parti që e përmend në mënyrë specifike popullin çam dhe të drejtën e tij për t’u njohur nga shteti grek. Pusho Bido, pusho! Unë jam i vetmi deputet që kam denoncuar gjenocidin ndaj popullit në Gazë. Nuk kam asnjë kompleks të them se nuk janë grekë ata që ia kanë kushtuar jetën mbrojtjes së të drejtave të emigrantëve. Këto debate nacionalizmi ndoshta vlejnë për ata që të ndjekin ty.

Bido: Redi Muçi, hiq dorë nga mandati i deputetit. Nuk je askush që të përçash popullin shqiptar. Shqiptarët e Çamërisë janë shqiptarë. Përçarje ndaj popullit tonë nuk mund të bësh jashtë Kuvendit. Je i pacipë. Ti krahason shqiptarët e Çamërisë me Palestinën. Popullin shqiptar nuk e përçan dot. PS është një forcë që do t’ju mbysë politikisht.

Muçi: Më vjen keq që po më duhet të humbas kohë me replika të këtij lloji nacionalizmi nga një njeri i pështirë. Kur fola për popullin çam, e kisha fjalën për popullin shqiptar të Çamërisë. Fry fyellit se je në vrimën e gabuar, ndërroje pak vrimën e fyellit, sepse sa më shumë i fryn, aq më shumë leqendisesh.


Shtuar 2.07.2026 11:52