Kontrolli i Lartë i Shtetit raporton një dëm financiar prej 5,113,785 lekësh pas një auditimi në Qendrën e Personave me aftësi të kufizuar “PAK” Vlorë.
Ndër të tjera në raport thuhet se është konstatuar se përveç sasisë së madhe të furnizuar nga kontraktori, artikujt ushqimorë janë magazinuar në kushte tejet të këqija higjieno – sanitare duke shkelur çdo standard ushqimor.
Sipas raportit, artikujt janë magazinuar në zyrën e magazinieres, disa rifuxho në çimento dhe disa në ambiente akulli në frigorifer, pulat ishin të paaketuara dhe disa të prishura me erë të rëndë dhe ngjyrë të transformuar, mishi në sasi 5 kg pa prerë 2 qese, patatet, qepët, frutat, rifuxho në kushte lagështie pa peshuar, pa u etiketuar mallrat, etj.
Gjithashtu nuk mund të evidentohej gjendja fizike e disa astikujve pasi ishin në kushte të papërshtatshme peshimi, etiketimi, higjieno sanitare. Në procesverbalet e mbajtura për artikujt ushqimorë citohej se janë në përputhje me specifikimet teknike, por nuk analizohej asnjë specifikim teknik i kërkuar me detaje të hollësishme në dokumentet e tenderit.
PJESË NGA RAPORTI I KLSH
Proces Verbal/et, e pranimit të mallit perimeve dhe zarzavateve (patate, qepe, domate, etj.), pranimin e frutave nuk kanë evidentuar nëse mallrat e furnizuara janë të cilësisë së parë, nuk kanë fletë analizë ne rastin kur mallrat janë të freskëta, nuk kanë evidentuar nëse ambalazhimi i tyre është në përputhje me kërkesat e prokurimit, nuk kanë pasqyruar të dhëna treguesit cilësor sipas specifikimeve teknike të kërkuara në dokumentet e tenderit, nëse furnizimi është në përputhje me treguesit cilësore sipas standardit shtetëror te miratuar.
Proces Verbal/et, pranimit të produktit mish/të përpunuar i mishit (sallam, proshuta, etj.) nuk përmban të dhëna mbi vulën e kontrollit veterinar, të dhëna mbi certifikatë veterinare, e cila do të vërtetonte sigurinë e produktit dhe vërteton se produkti është i sigurt dhe lejohet për konsum publik, veprim në kundërshtim me kërkesat specifike të DST.
Proces Verbal/et, pranimit të bulmetrave(qumësht për konsum, djathë i bardhë dhe gjalpë i freskët) për furnizimin me djathë. Proces verbali nuk ka evidentuar certifikatën e cilësisë për çdo furnizim parti prodhimi, për furnizimin me qumësht nuk ka evidentuar certifikatën e analizës, për furnizimin me gjalpë të freskët nuk ka evidentuar ambalazhin e paketimit të produktit, etiketa e produktit me të dhëna mbi datën e prodhimit, masën bruto/ neto, dhe origjinën e prodhimit;
– Për furnizimin me vezë nuk është përcaktuar nëse furnizimi është në përputhje me rregullat e MBU.
– Për furnizimin me bukë gruri nuk evidentohet nëse furnizimi plotëson kërkesat e standardit shtetëror nr. 1411, të vitit 1987, përcaktuar në specifikime teknike; nuk përcaktohet nëse ambalazhimi i bukës është sipas kërkesave të MBU.
QZHPAK Vlorë në muajin Gusht të vitit 2019 është transferuar për ushtrimin e aktivitetit si pasojë e rikonstruksionit të godinës së qendrës nga “U”. Nga auditimi është konstatuar se pas transferimit në një godinë tjetër, titullari i institucionit nuk ka marrë masa për të kryer procesin e inventarizimit për aktivet të cilat janë lënë në dorëzim në godinë e cila ka qenë në proces rikonstruksioni. Pra, titullari i institucionit nuk ka vepruar për kryerjen e procesit të dorëzimit dhe inventarizimit të mallrave dhe objekteve që disponon qendra në kohën kur kanë filluar punimet.
QZHPAK është rikthyer në godinë pas rikonstruksionit në Gusht të vitit 2020, nga ku rezulton se nuk ka asnjë procesverbal marrje në dorëzim të mallrave dhe objekteve të kësaj qendre. Në këto kushte nga inventarizimi i aktiveve në fund vitin 2020, kanë rezultuar aktive jashtë përdorimi (si pasojë e prishjes nga rikonstruksioni i godinës) në shumën 5,113,785 lekë, e cila përbën efekt negativ për buxhetin e shtetit.
Objekti “kaldaja”, me sipërfaqe 54 m2 nuk posedohet nga QZHPAK, por ky objekt përdoret nga subjekte private për qëllime banimi. Ndërtesa në tërësi (përfshirë edhe kaldajën) rezulton e pasqyruar në pasqyrat financiare të QZHPAK për vitin ushtrimor 2021 dhe është reflektuar me vlerë 21,047,669 lekë, por nga ana e drejtoreshës së QZHPAK, nuk është marrë asnjë masë për përcjelljen e kësaj problematike pranë Bashkisë Vlorë, me qëllim garantimin e ruajtjes së pronës.
Ndërmjet QZHPAK, Bashkisë Vlorë dhe subjektit privat nuk rezulton që të jetë krijuar ndonjë marrëdhënie juridiko-civile me qëllim dhënien në përdorim të ambientit me sipërfaqe 54 m2. Përkundrazi, bazuar në informacionin e përcjellë nga drejtoresha e QZHPAK, sipas së cilës duke filluar nga periudha që ajo është emëruar në detyrë, përkatësisht viti 2014, nuk gjenerohen të ardhura në favor të Institucionit për dhënien e kësaj prone ose të jetë lidhur kontratë.
Efekti negativ që është shkaktuar është: 54 m2*200 lekë/m2*12 muaj*8 vjet = 1,036,800 lekë. Vlerë e cila përbën efekt negativ për Institucionin, që mund të përdorej për përmirësimin e kushteve të rezidentëve.