Kryeministri Edi Rama, ndau sot në rrjetet sociale pamje nga peizazhi i rrugës bregdetare të Qeparosë, një perlë e Rivierës Shqiptare.
Pasi kalon gjirin e Porto Palermos, fshati Qeparo, 13 kilometra në jug të Himarës, është kthyer vitet e fundit në një ndër destinacionet më të preferuara të turistëve vendas dhe të huaj.
Për këdo që zgjedh të pushojë në bregdetin e jugut, infrastruktura lidhëse e fshatrave përgjatë Rivierës siguron jo vetëm lehtësi në lëvizje, por edhe pamje spektakolare mes blusë së kristaltë të Jonit dhe kodrave të gjelbëruara.
Qeparoi konsiderohet nga fshatrat më të vjetër të bregdetit shqiptar dhe ofron dëshmi të jetës dhe kulturës së banorëve vendas, ndër shekuj.
I ndarë midis një fshati të lashtë në majë kodre dhe një vendbanimi më të ri buzë plazhit, Qeparoi ofron destinacionin më të mirë turistik për vizitorët.
Fshati i sipërm ruan shtëpi tradicionale prej guri dhe ullishte, ku familjet kanë jetuar për breza me radhë. Qendra historike e këtij fshati përfshin disa monumente kulture të shpallura, mes tyre banesa tradicionale dhe objekte fetare.
Ndërsa pjesa e poshtme ofron akses në plazh me shëtitoren e re që kalon në të gjithë vijën bregdetare, që i ka dhënë Qeparoit tiparet e një fshati tipik turistik mesdhetar, ku janë ruajtur karakteristikat dhe traditat e zonës.