Rama: Në Bulqizë nuk kemi bërë mrekulli, por goxha investime

Kryeministri Edi Rama ndodhet në një takim elektoral në qarkun Dibër. Ndalesa e tij e fundit ishte Bulqiza ku dhe zhvilloi takim informues me sipërmarrës të sektorit privat mbi pagat e punonjësve, si një prioritet kombëtar i përbashkët.

Rama foli dhe për investimet në këtë bashki ku tha se nuk është bërë mrekulli, por goxha investime.

“Nuk dua të flas gjatë, por po të doni ju që të rrini dhe pak pushim, e zgjas sa të doni, vetëm bëni me shenjë që pusho tani se boll.

Ajo që tha Belinda lidhur me divizionin është një nga idetë që kemi dhe në fakt, e kemi diskutuar pasi unë erdha këtu dhe bëra një takim të madh me gratë. Unë kam pasur gjithmonë bindjen që këto zona, pavarësisht se janë zona ku kur ti vjen shfaqen vetëm burrat, në fakt këto zona gjithë energjinë që i mban dhe i shtyn përpara e kanë nga gratë, e kam bindje këtë dhe nuk ma luan dot asnjë burrë dhe të gjithë burrat bashkë po të bashkohen.

Tek divizioni, duam të bëjmë një tjetër pikë ku të punësojmë të tjera gra. Këtu ka gra që merren me prodhimin e brumit, që kanë një aftësi të veçantë në pjesën që ka të bëjë me ushqimin dhe po ashtu kemi program të ri tani. E kemi pasur, por tani e kemi fuqizuar. Kemi bërë disa prova shumë të suksesshme lart në Dibër dhe në disa zona të tjera. Atje tek “Dashuria” për shembull, që është një, besoj e dini, një pikë e cila është krijuar duke e mbështetur atë zonjën për të bërë një bujtinë dhe kështu duam të mbështesim grupe grash apo bashkime grash që orientohen drejt një sektori apo një sektori tjetër, në mënyrë që të kenë një të ardhme të rregullt, të kenë një të ardhme të sigurt dhe sigurisht të kenë një punë e cila të jetë një punë më pak e rëndë. Nuk ka punë të lehtë, por të jetë një punë jo aq e rëndë sa selektimi i kromit, që me thënë të drejtën tregon për forcën tuaj, por edhe për dobësinë që kemi pasur ne të gjithë për shumë vite në raport me nevojën për t’iu dhënë juve më shumë mundësi.

Të jeni të bindura që kjo që ka filluar këtu me këtë punishte të vogël dhe që do të zgjerohet në vijim është vetëm fillimi i një faze të re transformimi. Në Bulqizë ne nuk është se kemi bërë ndonjë mrekulli, por kemi bërë goxha investime edhe për qytetin këtu, për ta përmirësuar nga ana urbane, për shkollat, në rrugët lidhëse brenda për brenda bashkisë, por edhe për ujësjellësin e të tjerë. Këto nuk mjaftojnë, këto janë të domosdoshme, janë të parat kur nuk i ke por pastaj nuk mjaftojnë, por ama me këtë bazë ne mund të shkojmë më tutje.

Rritja e pagës minimale ku faktikisht, në atë 40 mijë lekëshin, pjesën e diferencës që ka të bëjë me sigurimet tuaja shoqërore, me sigurimet tuaja shëndetësore do ta paguajë qeveria. Prapë është një hap përpara për të sjellë më shumë të ardhura tek familjet që kanë njerëz të punësuar me pagë minimale. Do rritet përsëri vitin tjetër dhe brenda prill 2025 do e çojmë 45 mijë lekë, mbase dhe më shumë, por 45 mijë lekë nuk diskutohet. Ndërkohë që patjetër do të shohim sesi mund t’iu mbështesim edhe më shumë për rastet kur keni fëmijë të vegjël e kështu me radhë. B

Besoj që më e mira është e gjitha përpara, ndërkohë që më e keqja është mbrapa, me ndihmën e Zotit kuptohet sepse kur të vjen tërmeti, kur të vjen pandemia nuk ke gjë në dorë dhe duhet t’i përballosh, por unë po flas për ato që kanë qenë pengesa të mëdha dhe gropa të mëdha në rrugën e jetës së përditshme.

Atë që thashë në fillim me të qeshur dua ta përsëris që realisht Belinda është realisht shumë e përkushtuar, që ka tipin, që e ka kokën shumë të fortë dhe ka një këmbëngulje shumë të madhe për t’i bërë gjërat siç duhet.

Qysh momentin e parë kur kemi vendosur që të vijë në Dibër, e ka pasur këtë sfidë që të mos vijë thjesht për të qenë një drejtuese e radhës në qark për qeverinë dhe partinë, por të vijë për të lënë gjurmë, për të ndihmuar, për të mbështetur dhe për të krijuar në energji të re, sidomos për punësimin, vetëpunësimin, biznesin e vogël dhe për ato sipërmarrjet që do mundohemi t’i krijojmë edhe me mbështetjen e qeverisë, edhe me fondet e mbështetjes qoftë të

Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, qoftë të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Shumë faleminderit për këto momente që kaluam bashkë dhe Zoti ju bekoftë për kurajën e madhe që keni, për forcën e madhe që keni dhe për durimin që keni me burrat, me thënë të drejtën.


Shtuar 3.05.2023 16:38