“Ra në tokë papritur”, gruaja e Pashko Ujkës rrëfen momentin kur ia vranë bashkëshortin para syve

“Ishim duke ecur në rrugë kur ra papritur në tokë”. E tronditur pas atentatit, kështu u shpreh gruaja e ish-deputetit Pashko Ujka, i cili mbrëmjen e sotme ndërroi jetë në spital dy orë pasi u qëllua me plumb në kurriz, raporton gazetari i “ABC” Simon Shkreli.

Fakti që u qëllua me silenciator, por edhe nxitimi nga reshjet e dendura të shiut dhe stuhia ka bërë që gruaja e Ujkës dhe vëllai të mos pikasin asgjë në lidhje me autorët.

“Nuk pamë asgjë” tha më tej ajo për grupin hetimor që ka nisur punën për të shkuar në gjurmët e autorëve të krimit. Ende nuk ka një pistë konkrete nga hetuesit. “Probleme nuk kemi pasur me askënd” u shpreh gruaja.

Kjo ishte hera e tretë që 64-vjeçari ishte vendosur në shënjestër, pasi më parë i ishin bërë dy atentate të tjera, por kishte arritur që të shpëtonte.

Ai ka shërbyer si deputet në disa legjislacione. Mes viteve 2005-2009, Ujka kaloi nga Partia Aleanca Demokratike te Partia Demokristiane e Nard Ndokës ku mbajti për disa kohë postin e kreut të grupit parlamentar.

Nga 2011 deri në 2015 Ujka ka drejtuar komunën e Velipojës për një mandat nën siglën e PS, ndërkohë që ka qenë dhe në krye të ekipit sportiv Ada./abcnews.al


Shtuar 29.11.2021 21:35