Këtë të enjte, qytetarët do të mblidhen për të 75-tën ditë përpara Kryeministrisë, duke kërkuar largimin e Edi Ramës. Në fillim ata mblidhen në sheshin “Skënderbej”, ndërsa marshojnë për në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përpara Kryeministrisë.
Ata shprehen të vendosur se nuk do të largohen nga sheshi deri në dorëheqjen e Ramës.
Të lidhura
None found
Protestuesit e kanë kthyer tashmë edhe në një “traditë” marshimin nëpër rrugët e Tiranës. Thirrjet e tyre “Rama jepe dorëheqjen”, “Rama në burg, Berisha në burg”, “Arrestoni Ramën, arrestoni Belindën”, “Shqipëria kërkon revolucion”, “Ju erdhi fundi” etj kanë qenë të vazhdueshme.
Protestat nisën fillimisht kundër ndërtimit të një resorti në zonën e Zvërnecit, por me kalimin e kohës ato kanë marrë përmasat e një lëvizjeje më të gjerë qytetare për shkak të korrupsionit dhe keqqeverisjes.
Pavarësisht se kanë kaluar mbi 70 ditë, numri i qytetarëve që protestojnë vazhdon të jetë i lartë, ndërsa në datat 14,15 dhe 16 gusht, kanë paralajmëruar tubime më të mëdha pasi pritet të marrë pjesë edhe diaspora.
