Putini kërcënoi me armë bërthamore, a do të futen ushtarët e NATO-s në Ukrainë?

NATO është duke furnizuar ndjeshëm me armë dhe logjistikë Ukrainën në luftën kundër Rusisë, në një ritëm që as që mund të mendohej para urdhrit të pushtimit nga Putin. Megjithatë, pyetja që shtrohet shpesh është: A do të futen ushtarët e NATO-s në Ukrainë?

BBC shpjegon se vendet dhe aleatët e NATO-s po vëzhgojnë çdo lëvizje të Rusisë, duke paralajmëruar se aleanca e tyre ushtarake mbrojtëse do të bëjë gjithçka për të mbrojtur “çdo pëllëmbë” të territorit të tyre.

NATO ka dërguar armë dhe municion në Ukrainë dhe kanë trajnuar ushtarë ukrainas në vitet e fundit, deri në pushtimin rus.

Por NATO ka thënë vazhdimisht se nuk do të ketë “çizme në terren” të NATO-s, sepse Ukraina nuk është anëtare e NATO-s.

Megjithatë, kjo ndryshon nëse Rusia shkon përtej Ukrainës dhe sulmon një vend të NATO-s.

Neni 5 i Kushtetutës së NATO-s thotë se “një sulm kundër një aleati konsiderohet si një sulm kundër të gjithë aleatëve”.

Nëse kjo ndodh, bota kalon në një territor të paeksploruar dhe ekziston një mundësi e rrezikshme e një konfrontimi NATO-Rusi.

Një ditë më parë, BE deklaroi se do të furnizonte Ukrainën me avionë gjuajtës, prodhim i Bllokut Lindor, gjë që pritet të ndodhë gjatë orëve në vijim.

Shtete që janë pjesë e BE-së si edhe që kanë në inventarin e tyre avionë të tillë janë Polonia, e cila ka një skuadrilje prej 23 avionësh Mig-29, ndërsa pret që të furnizohet edhe me fjalën e fundit të teknologjisë, ata F-35; Bullgaria me 16 të tillë dhe Sllovakia me 21 copë.


Shtuar 28.02.2022 15:33