Punonjësit në Shqipëri ende paguhen në natyrë (mallra)

Në Shqipëri, kompanitë aplikojnë gjerësisht pagesat në natyrë, që janë paga të cilat nuk janë transaksione cash, por përfitime në mallra dhe shërbime, apo përfitime të tjera, të cilat sigurohen falas ose me çmime të reduktuara nga ana e punëdhënësit për të punësuarit me pagë.

Një anketë e INSTAT, e realizuar për kostot e punës në vitin 2020, gjeti se, pagesat në natyrë mesatarisht luhaten nga 1,273 lekë në 10,502 lekë për punonjës në varësi të aktiviteteve ekonomike.

Pagesat më të mëdha në natyrë i marrin punonjësit e Teknologjisë së Komunikimit, ata të tregtisë dhe shërbimeve.

Rezultatet e anketës tregojnë se punonjësit në aktivitetet e TIK, transportit, akomodimit dhe tregtisë përfitojnë mallra dhe shërbime me lekë mbi 10 mijë lekë gjatë një vitit kalendarik.

Punonjësit e shërbimeve përfituan 5,900 lekë pagesa në natyrë mesatarisht për punonjës dhe aktivitet e pasurive të paluajtshme përfituan pagesa në natyrë ne vlerën e 5600 lekëve (shih grafikun bashkëngjitur).

Pagesat më të ulëta në natyrë ishin për punonjësit e shëndetësisë dhe arsimit, mesatarisht me 1273 lekë në vit dhe pas tyre, punonjësit e industrisë me 2699 lekë në vit pagesa në natyrë.

Pagesat në natyre në vlerë paraje luhaten nga 0.2 % deri në 1.6 % te të ardhurave vjetore nga pagat, shpërblimet dhe bonuset në cash me ndryshime në varësi të aktiviteteve ekonomike.

Pagesat në ë për punonjësit vijojnë të jenë të pranishme në Shqipëri pasi shumë kompani në sektorin e tregtisë dhe më gjerë shpërblejnë me mallra punonjësit e tyre, sidomos në festat e fund vitit. Shumë punonjës pajisen me karta të cilat kanë vlerë të konvertohen vetëm në mallra në supermarkete.

Pagesat në natyrë janë instrumente, më pak të njohura në Europë, pasi zakonisht kompanitë përdorin pagesat cash në formën e bonuseve dhe shpërblimeve për punonjësit me rezultate.

Punonjësit në Shqipëria vuajnë nga një nivel i ulët pagash si në raport me Rajonin dhe Europën për shkak të një modeli ekonomik që nuk nxit produktivitetin./Monitor


Shtuar 11.10.2022 10:28