“Puna u krye”, portieri i Tottenhem bën gafën pas eliminimit nga Dinamo Zagrebit, Hart: Mendova se fituam

Portieri i Totenhemit, Xho Hart, u bë protagonist në rrjetet sociale pas eliminimit të befasishëm të skuadrës së tij nga Europa League. Dinamo e Zagrebit përmbysi disavantazhin 2-0 të ndeshjes së parë, duke mposhtur 3-0 londinezët dhe duke prekur kështu çerekfinalet. Por në rrjetin e tij social në “Instagram” Hart ka shpërndarë një foto të rezultatit përfundimtar të takimit, të cilin e shoqëron me fjalët: “Puna u krye”.

Diçka e tillë ka sjellë reagimin e tifozëve, të cilët e panë të papranueshme që portieri i tyre të përgëzonte humbjen e skuadrës. Gardiani i Totenhemit ka vendosur të sqarojë këtë gafë, teksa vë përgjegjës ekipin e menaxhimit të rrjeteve të tij sociale.

“Ndihem sikur kam nevojë të vij dhe të kërkoj falje në emër të ekipit tim të mediave sociale. Sapo është sjellë në vëmendjen time, unë fjalë për fjalë sapo jam zgjuar, që dikush mendoi se ne do të fitonim 3-0 natën e kaluar.

Sado qesharake të duket, është e vërteta. Kjo është e papranueshme dhe jam i sigurt se ka bezdisur shumë njerëz dhe më vjen keq që ka ardhur deri te kjo. Padyshim që nuk ka ardhur nga unë dhe nuk kam asgjë përveç dashurisë për klubin dhe mbështetjes për ekipin. Unë jam po aq poshtë (moralisht) sa djemtë, kështu që falje”, sqaron Xho Hart.


Shtuar 19.03.2021 22:23