Pse PD kërkon përsëritje zgjedhjesh në vetëm 9 qarqe? Demokrati: Rezultati do të ndryshojë!

Kandidati për deputet i Partisë Demokratike në qarkun e Fierit, Enkelejd Alibeaj, ka shpjeguar se përse opozita pretendon për paligjshmëri në 9 qarqe të vendit.

I ftuar në emisionin “OPEN” ai tha se tek votat e shpallura të pavlefshme “flenë” thuajse 8 mandate deputetësh, që mund të ndryshojnë rezultatin e zgjedhjeve parlamentare.

Më pas, deputeti i zgjedhur citoi Kodin Zgjedhor, ku shkruhet se çdo subjekt politik ka të drejtë të ankimojë vendimin në qarqe që beson se mund të ndryshojë rezultatin.

“Me 83 mijë fletë votimi të pavlefshme, kemi së paku 8 mandate deputetësh që nuk i përgjigjen realitetit. Por pse ne po kërkojmë përsëritje zgjedhjesh në këto 9 qarqe?

Sepse në nenin 160 përcaktohet se “ke të drejtën të kërkosh paligjshmëri dhe përsëritje të zgjedhjeve kur masa e pavlefshmërisë e përkthyer në shifra, ndryshon rezultatin e zgjedhjeve.

Ka pasur shkelje në Kukës, Lezhë apo Dibër, por s’na ndryshon rezultati,“- tha Alibeaj.