Protestat në Tiranë, BBC: Studentët sulmojnë institucionet qeveritare dhe përplasen me policinë

Protesta studentore në Tiranë, ka tërhequr vëmendjen e mediave botërore. BBC shkruan se “mijëra studentë dhe qytetarë kanë dalë në rrugët e Tiranës, në ditën e dytë të protestave kundër qeverisë, të cilat janë shoqëruar me akte dhune, sulme ndaj institucioneve dhe përplasje me policinë”.

Protesta nisi të martën përpara Ministrisë së Arsimit, ku studentët kërkuan përmirësimin e kushteve në universitete dhe më shumë mundësi punësimi.

Të lidhura

None found

Të mërkurën, situata u përshkallëzua, pasi një pjesë e godinës së Ministrisë së Arsimit u përfshi nga flakët. Në shënjestër të protestuesve u vunë gjithashtu Kryeministria, Ministria e Financave, Ministria e Brendshme dhe disa biznese në zonën përreth.

Policia ndërhyri për shpërndarjen e turmës, duke përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion.

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu u bëri thirrje protestuesve për qetësi dhe vetëpërmbajtje. Ajo deklaroi se Shqipëria nuk ka nevojë të digjet për të ndryshuar, duke iu referuar përshkallëzimit të situatës.

Edhe ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, theksoi se e drejta për të protestuar duhet respektuar, por protestat qytetare dhe dhuna ndaj institucioneve publike janë dy gjëra të ndryshme.

Ndërsa ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, paralajmëroi se vënia e zjarrit në një institucion rrezikon jetën e njerëzve.

BBC shkruan se demonstratat e drejtuara nga studentët vijnë pas disa muajsh protestash kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama, të njohura si “Revolucioni i Flamingos”, ku protestuesit kërkojnë dorëheqjen e tij.


Shtuar më 15.10.2026 07:28