Protesta studentore dhe dhuna policore, reagon delegacioni i BE në Tiranë: Uniformat blu të respektojnë të drejtat themelore, rastet të hetohen me përparësi

Zyra e delegacionit të BE në Tiranë, ka reaguar lidhur me përshkallëzimin e protestës së studenteve. Në reagim, zyra e BE shpreh shqetësim për situatën e krijuar dhe pretendimet për përdorim të tepruar të forcës nga Policia ndaj protestuesve dhe gazetarëve.

Delegacioni i BE-së thekson se liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera thelbësore evropiane, të cilat duhet të respektohen dhe të ushtrohen në mënyrë paqësore.

Të lidhura

None found

“Ne shprehim shqetësim në lidhje me përshkallëzimin e dhunshëm të protestës në Tiranë. Liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera thelbësore evropiane. Ato duhet të respektohen dhe të ushtrohen në mënyrë paqësore. Ne jemi në dijeni të pretendimeve për përdorim të tepruar të dhunës nga policia ndaj protestuesve dhe gazetarëve.Presim që veprimet e policisë të jenë proporcionale dhe të respektojnë të drejtat themelore, siç edhe presim që këto raste të hetohen me përparësi”, thote zyra e BE.

Delegacioni i BE-së u bën thirrje të gjitha palëve të ulin tensionet dhe të angazhohen në dialog konstruktiv.

“Inkurajojmë të gjitha palët të ulin tensionet. Dialogu konstruktiv ndërmjet të gjithë aktorëve të përfshirë është e vetmja rrugë përpara”, thuhet ne reagimin e Delegacionit te BE.