Protesta qytetare kundër qeverisë hyn sot në ditën e 96-të. Kërkesa kryesore e protestuesve mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, ndërsa ditët e fundit aksioni është shoqëruar me tensione, përplasje me policinë dhe paralajmërime për zgjerimin e formave të mosbindjes civile.
Dita e 95-të e protestës, e zhvilluar të mërkurën, nisi në sheshin “Skënderbej”, ku u mblodhën qytetarë dhe aktivistë. Prej aty, protestuesit marshuan drejt Kryeministrisë, duke përsëritur thirrjet kundër qeverisë dhe kërkesën për largimin e Edi Ramës.
Të lidhura
None found
Më pas, protesta u zhvendos drejt Bllokut të Sigurisë, ku ndodhen 14 personat e arrestuar një ditë më parë, pas përplasjeve pranë Kryeministrisë.
Gjatë marshimit u dëgjuan thirrje si “Ju erdhi fundi”, “Shqipëria kërkon revolucion” dhe “Rama, jep dorëheqjen”.
Protesta e së mërkurës u zhvillua vetëm një ditë pas përplasjeve më të forta të regjistruara gjatë këtij aksioni. Në ditën e 94-të, pasi protestuesit mësuan se kryeministri Rama ndodhej në zyrën e tij, një pjesë e tyre u pozicionuan pranë hyrje-daljeve të godinës, ku qëndruan për rreth dy orë.
Në zonë u shtuan forcat e policisë, përfshirë efektivë të FNSH-së, ndërsa autoritetet vendosën në terren edhe një autobot me ujë. Pas tensioneve dhe përplasjeve, disa protestues u shoqëruan në komisariate.
Ndërkohë, vëmendja e protestuesve është përqendruar te 7 shtatori, kur protesta pritet të shënojë ditën e 100-të.
Gjatë tubimit të së mërkurës u paralajmërua një mobilizim më i madh për këtë datë. Protestuesit kanë deklaruar se synojnë të rrethojnë të gjithë godinën e Kryeministrisë, duke e cilësuar ditën e 100-të si një tjetër pikë të rëndësishme të aksionit të tyre.
Protesta vijon sot në ditën e 96-të, ndërsa mbetet për t’u parë nëse ditët në vijim do të sjellin një përshkallëzim të mëtejshëm të përplasjeve apo forma të reja të mosbindjes civile.
