Protesta e studentëve para Ministrisë së Arsimit, Berisha: Të ndalet terrori ndaj të rinjve

Pas protestës së studentëve dhe përplasjeve të tensionuara me policinë, ka reaguar ish-kryeministri Sali Berisha, i cili e cilësoi ndërhyrjen e efektivëve si terror.

“Stop terrorit të banditëve të narkoshtetit ndaj studentëve guximtarë! Nderim studentëve misionarë!”, shkroi Berisha në një postim në rrjetet sociale.

Të lidhura

None found

Më herët, lidhur me protestën reagoi edhe Gazment Bardhi. Ai deklaroi se të rinjtë që kërkojnë një Shqipëri më të mirë duhet të përballen me respekt dhe përgjigje, jo me dhunë e represion.

“Të rinjtë dhe të rejat që protestojnë për një Shqipëri më të mirë meritojnë respekt, jo dhunë; përgjigje, jo represion; liri, jo frikësim!”, u shpreh Bardhi.

Sipas tij, përdorimi i forcës ndaj të rinjve tregon frikën e pushtetit nga zëri i tyre dhe nga ndryshimi që ata kërkojnë. Bardhi theksoi se asnjë pushtet nuk mund ta mbyllë me dhunë zërin e një brezi që kërkon dinjitet, drejtësi dhe një të ardhme në vendin e vet.

“Mos e ngatërroni heshtjen me bindjen dhe frikën me nënshtrimin. Rinia nuk intimidohet, nuk blihet dhe nuk ndalet! Çdo akt dhune ndaj studentëve është një akt kundër së ardhmes së Shqipërisë. Dhe çdo pushtet që zgjedh dhunën përballë rinisë, përshpejton humbjen e legjitimitetit të vet”, deklaroi ai.


Shtuar më 13.10.2026 16:49