I pari që mori fjalën e tij në protestën e opozitës ishte Luçiano Boçi, duke thënë se sot janë më të bashkuar se kurrë kundër pushtetit, sic tha ai të korruptuar të Edi Ramës.
Boçi u shpreh se për të rrëzuar qeverinë dhe kryeministrin Rama nuk duhet të dorëzohen, por të vazhdojnë në betejën e tyre.
“Ajo që na ka sjellë këtu nuk është vetëm historia dhe lavdia e rrëzimit të diktaturës së Enver Hoxhës, por është e sotmja, është dëshira e qytetarit për të rrëzuar regjimin e Edi Ramës. Ai që na ka thirrur në këtë protestë është ai grushti i mbledhur i intelektualit që kamxhikohet nga regjimi, është zemërimi i biznesit të madh dhe të vogël që i ngushtohet laku në fyt nga taksat. Është revolta e të rinjve, është ai fermeri që vajton produktin e vet, është ofshama e atij pensionistit që pret lëmoshën e tij, është ajo drama e qytetarit shqiptar jeta e të cilit është një udhëtim dantesk drejt ferrit. Sot ne vijmë të bashkuar si një zë i vetëm kundër pushtetit të korruptuar të Edi Ramës. Jemi të bashkuar në një qëndresë, duhet të vazhdojmë, të mos gjunjëzohemi dhe të mos dorëzohemi. Pushteti i korruptuar i Ramës mbështetet mbi frikën dhe apatinë. Ato mposhten me guximin dhe vendosmërinë tonë.