Protesta e 8 janarit, Zëri i Amerikës: Berisha dhe Noka nesër në Prokurori

Në Shqipëri, Prokuroria e Tiranës mësohet se në kuadër të hetimeve të nisura mbi ngjarjet e dhunshme në selinë e Partisë Demokratike më 8 Janar, i ka dërguar thirrje për t’u paraqitur dhe marrë në pyetje ish kryeministrit Sali Berisha si dhe deputetit Flamur Noka. Të dy duhet të jenë nesër para prokurorit të çështjes. Ndërkohë që një ditë më pas, do të jetë radha e kryetarit demokrat Lulzim Basha dhe Sekretarit të përgjithshëm Gazmend Bardhi, të cilëve po ashtu u është dërguar thirrje nga prokuroria. Zoti Bardhi dhe deputeti Noka u përfshinë që ditën e parë janë në listën e personave ndaj të cilëve nisi procedim penal.

Për ngjarjet e 8 janarit, u ndaluan 34 persona. Sot gjykata e Tiranës, vlerësoi masat e sigurisë ndaj tyre. Prokuroria kishte kërkuar fillimisht që 5 prej tyre të ishin në arrest shtëpia ndërsa të tjerët detyrim për paraqitje. Gjykata nga ana e saj vendosi që një pjesë të tyre të lihen plotësisht të lirë, ndërsa la masën “detyrim për paraqitje” për shumicën dërrmuese.

Të paktën 23 persona nga të ndaluarit ishin pjesmarrës në protestën e thirrur nga ish kryeministri Sali Berisha, e cila përfundoi me një sulm të dhunshëm ndaj selisë së kësaj partie, ku dyer e dritare u thyen e shkatërruan e po ashtu dhe mjediset e brendshme.

Ndërsa 11 persona të tjerë, ishin përkrahës të zotit Basha që ishin në seli ditën e 8 janarit. Ndaj tyre pati dyshime për shkeljen e rregullave për lëndët plasëse dhe shpërthyese, gjatë përpjekjeve për të sprapsur protestuesist që kërkonin të hynin në godinë.

Protesta e së shtunës kishte si objektiv marrjen e kontrollit të selisë së Partisë demokratike nga ana e zotit Berisha dhe mbështetësve të tij. Dhuna e shpërthyer u frenua vetëm nga ndërhyrja e forcave të policisë.

Ngjarjet e 8 janarit bënë që një ditë më parë kryesia e PD-së të vendoste përjashtimin e zotit Berisha nga anëtarësia e kësaj force politike. 9 deputetë të tjerë po ashtu u përjashtuan apo pezulluan, një masë që u shtri dhe ndaj 19 mbështetësve të ish kryeministrit, anëtarë të Komisionit të Rithemelimit./VOA