Presidenti Meta vijon dekorimet, i akordon Eranda Libohovës titullin “Mjeshtër i Madh” (FOTO LAJM)

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta ka dekoruar ditën e sotme këngëtaren shqiptare Eranda Libohova, me titullin “Mjeshtër i Madh”.

Meta vlerëson figurën e këngëtares dhe kontributin e saj në muzikën shqiptare.

“Artistja e mirënjohur, Eranda Libohova, është një nga këngëtaret më të dashura dhe të vlerësuara nga publiku.

Me një kontribut të vyer 35-vjeçar në muzikën shqiptare, falë vokalit të ngrohtë, talentit të rrallë dhe interpretimit të veçantë, të thuajse gjithë zhanreve dhe rrymave muzikore, veçanërisht të këngëve popullore dhe tradicionale, ajo e ka fituar me meritë simpatinë dhe duartrokitjet e artdashësve duke lënë gjurmë ndër breza me hitet e saj.

Për të gjithë kontributin e vyer në evidentimin e vlerave më të mira artistike kombëtare, pata kënaqësinë që edhe në praninë e shumë kolegëve të saj të nderuar, ta vlerësoja këngëtaren e shquar Eranda Libohova me Titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh”, ka deklaruar Meta në Facebook./albeu.com/


Shtuar 30.10.2021 16:39