Ditën e sotme, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, zhvilloi një takim me Përfaqësuesen e Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë të Bashkimit Evropian, njëherazi Nënpresidente e Komisionit Evropian, Kaja Kallas.
Në fokus të takimit, ishin procesi i zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor, ecuria e negociatave të Shqipërisë për anëtarësim, si dhe roli i vendit në politikën e jashtme dhe bashkëpunimin rajonal.
Gjithashtu , Kreu i Shtetit i shprehu përfaqësueses Kallas, mirënjohje për angazhimin e institucioneve evropiane në drejtim të integrimit të rajonit dhe e cilësoi zgjerimin e BE-së, si mjet gjeopolitik për sigurinë dhe stabilitetin.
Ai theksoi përkushtimin e Shqipërisë për të vijuar reformat, hapjen e kapitujve të mbetur brenda këtij viti dhe përmbylljen e procesit teknik deri në vitin 2027, me synimin për anëtarësim të plotë në vitin 2030.
Në takim u diskutua edhe për mbështetjen financiare të BE-së në kuadër të Planit të Rritjes, si dhe për përputhjen e qëndrimeve të Shqipërisë me politikat e sigurisë dhe mbrojtjes të Unionit.
Presidenti Begaj, nënvizoi se entuziazmi i qytetarëve shqiptarë për integrimin në BE mbetet ndër më të lartët në rajon.