President “legen”!

Qeverisjet kushtetuese, në teori, duhet të funksionojnë sipas parimit ‘check and balance’. Sipas këtij parimi, duhet të garantohet pavarësia dhe fuqia e degëve (poleve) të pushtetit, në mënyrë që ai të ndahet dhe asnjëri prej këtyre poleve të mos fuqizohet aq shumë, sa të ndikojë tek veprimtaria e poleve të tjera.

Praktikisht, në demokracinë tonë të papjekur dhe të brishtë, ky parim zbatohet gjithnjë e më pak. Mjerisht, ka tendencë që të “zerohet” edhe teorikisht.

Pushtetet e njohura vepruese në Shqipëri janë Ekzekutivi, Legjislativi, Gjyqësori dhe Presidenciali. Dy të parët kontrollohen nga partia që fiton shumicën në zgjedhje. Ekzekutivi totalisht, Legjislativi diçka më pak, në varësi të çmimit që kanë deputetët e opozitës që blihen kur duhen. Gjyqësori gjithmonë ndikohet nga ekzekutivi, me tendencë të kontrollohet.

Edhe presidenti, i cili zgjidhet vetëm me 3/5 e votave, vjen si produkt pazaresh. Për të pasur garanci që ai nuk do ‘lajthisë’ dhe do t’i prishë punë ekzekutivit, në vite atë e kanë zhveshur nga pushteti. Presidencën e kanë shndërruar në OJQ. Presidentin e kanë reduktuar në një zyrtar ceremonish me një buxhet të tkurrur. Një dekorues dhe shpërndarës titujsh e çmimesh. Dekretet presidenciale kanë peshën dhe vlerën e një letre bakalli.

Me fjalë të tjera, president ‘legen’!


Shtuar 5.04.2022 10:30