Rrjedhja e gazit në cisternat në Porto Romano shkaktoi panik tek banorët gjatë ditës së mërkurë (26 tetor).
ISHTI ka reaguar në lidhje me ngjarjen duke sqaruar se çfarë ka ndodhur.
Njoftimi i plotë:
Mbi avarinë e ndodhur më dt. 26.10.2022 në subjektin Gaspower Al sha me Nipt L21409504T e vendndodhje: në instalimin e depozitave të GLN-s (Gaz i lëngëzuar i naftës) Durrës, Lagjja 15, Rruga “Velipoja”, Porto Romano, Ish Ndërmarrja Kimike.
Rreth orës 11:30 është konstatuar rrjedhje GLN-je nga valvula e sigurimit të cisternës së GLN-s të automjetit me targë DR4093C e parkuar në territorin e subjektit Gaspower Al sha.
Sipas punonjësit Artan Tafhasaj avaria është konstatuar rreth orës 11:30 , është dëgjuar një zhurmë si dhe rrjedhje GLN-je nga valvula e sigurimit të çisternës së automjetit me targë DR4093C.
Operatorët e subjektit kanë vepruar menjëherë duke e mbajtur nën kontroll rrjedhjen e GLN-s si dhe kanë vepruar me ujë nëpërmjet sistemit të hidranteve, është vazhduar me mbajtjen nën kontroll të rrjedhjes së GLN-s si dhe uljen e presionit duke hequr nëpërmjet pompës së impiantit GLN-s dhe dërgimin në rezervaret staticionar të GLN-s.
Për izolimin e plotë e rrjedhjës së GLN-s u përdor një reduksion i filetuar në njërën anë të së cilit u instalua një saraçineskë.
Ky reduksion u montua në tronketën dalëse të valvulës së sigurimit me filetim.
Në lidhje me dokumentacionin tekniko-ligjore të çisternës së GLN-s të automjetit rezultojnë këto mangësi:
1 – Certifikatë konformiteti e cisternës e cila lëshohet nga një Organ i miratuar.
2 – Certifikatë e miratimit për mjetet që transportojnë disa mallra të rrezikshëm e cila lëshohet nga një Organ i miratuar (ADR).
3 – Certifikatë për transportin e mallrave të rrezikshëm e cila lëshohet nga Drejtoria e Transportit Rrugore.
4 – Policë për sigurimin e detyrueshëm të mbajtësve të mjeteve motorike për përgjegjësinë ndaj palëve të treta.
5 – Certifikatë e kalibrimit të sasisë të cisternës së GLN-s.
Nga avaria e ndodhur nuk ka patur dëme materiale apo në njerëz.
Në zbatim të ligjit nr. 10433, datë 16.06.2011 “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, të ligjit nr. 32/2016, datë 24.03.2016 “për garantimin e sigurisë së punës të pajisjeve dhe instalimeve nën presion” si dhe të akteve të tjera ligjore dhe nën ligjore në fuqi do te vijohet me procedurën e inspektimit on-line.
Subjektit Gaspower AL sha u la detyrë që të merren masa për boshatisjen e menjëhershme të çisternës së GLN-s, për pastrimin e territorit, monitorimin e çisternës së GLN-s si dhe ambientit për qark.
Çisterna e GLN-s të automjetit nuk duhet të përdoret pa u pajisur me të gjithë dokumentacionin tekniko ligjor.