Të mërkurën në Ferizaj, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit së bashku me Zyrën Kombëtare të Auditimit (ZKA) organizuan një punëtori rajonale me temën “Forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional në identifikimin dhe referimin e dyshimeve për vepra penale të identifikuara gjatë auditimit”.
Të lidhura
None found
Në këtë aktivitet ishin të pranishëm përfaqësues të Zyrës Kombëtare të Auditimit, prokurorë nga rajonet e Ferizajt dhe Gjilanit, si edhe përfaqësues të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).
Bahri Hyseni, Prokuror i Shtetit dhe njëkohësisht koordinator për rastet që ndërlidhen me auditimin, tha se mbajtja e këtyre punëtorive buron nga bashkëpunimi i mirë ndërinstitucional mes Prokurorisë së Shtetit dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit.
Ai nënvizoi se organizime të ngjashme do të vijojnë edhe në rajone të tjera të Kosovës, me synimin për të fuqizuar koordinimin ndërinstitucional, për të shkëmbyer përvoja profesionale dhe për të rritur efektivitetin në trajtimin e rasteve të referuara.
Sipas Hysenit, bashkëpunimi i pandërprerë mes Prokurorisë së Shtetit dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit ndihmon në identifikimin dhe trajtimin më efikas të rasteve kur gjatë procesit të auditimit evidentohen dyshime për kryerje të veprave penale.
