Porosia e Escobar për Kurtin: Asociacioni do të jetë proces, të lutem mos humb kohë

Porosia tjetër e Escobar për Kurtin: Asociacioni do të jetë proces, të lutem mos humb kohë

Emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në intervistën dhënë për “Pavlovic Today” ka folur edhe për punën e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Escobar ka thënë se plani i propozuar nga BE-ja është i drejtë, ku Kosova dhe Serbia duhet të fillojnë menjëherë zbatimin e obligimeve të tyre. Ai ka thënë se është në dijeni që në disa raste, Serbia kërkon nga Kosova që të themelojë Asociacionin para se të ndërmarrë vetë veprime, dhe se Kosova ka kërkuar që Serbia të përfundojë gjithë obligimet e saj përpara se themelimit të Asociacionit.

Megjithatë Escobar thotë se Asociacioni do të jetë një proces, dhe sipas tij duhet filluar me të.

“Shikoni planin që propozoi Bashkimi Evropian, i cili mendoj se është shumë i drejtë. Të dyja palët duhet të fillojnë menjëherë zbatimin e obilgimeve të tyre. Unë e di se në disa raste, Serbia dëshiron që Kosova të themelojë Asociacionin para se të ndërmarrë veprime nga ana e saj, dhe e di që Kosova ka propozuar që Serbia të përfundojë të gjitha pjesët e saj përpara zbatimit të Asociacionit. Por Asociacioni do të jetë një proces. Kështu që unë mendoj se ne duhet të fillojmë atë proces. Njohja e targave të Kosovës, kartave të identitetit, dokumenteve qeveritare, të gjitha këto janë pjesë e saj. Dhe duke trajtuar çështjen e strukturave paralele në kuadër të Asociacionit, mendoj se edhe ky është një proces. Kështu që unë besoj se ky proces duhet të fillojë tani. Ne ende presim që qeveria e Kosovës të tregojë se është duke ecur përpara në Asociacion”, ka thënë Escobar.

I pyetur se cili është mesazhi për Kurtin, Escobar ka thënë “Ju lutem, mos humbni kohë”./Express/


Shtuar 22.09.2023 22:02