Nga Janusz Bugajski “Washington Examiner”
Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com
Politika aktuale e administratës së Joe Biden ndaj Ballkanit po zhbën shumë nga arritjet e mbi 20 viteve më parë kur presidenti aktual i SHBA-së ishte senator.
Gjatë viteve 1990, dhe përmes një mbështetjeje të fortë dypartiake, Shtetet e Bashkuara dhe NATO i dhanë fund Luftërave Jugosllave përmes diplomacisë së ashpër dhe ndërhyrjes së drejtpërdrejtë.
Po ashtu, Uashingtoni njohu sovranitetin e të gjitha shteteve që dolën nga ish-federata jugosllave, dhe u sigurua që asnjë komb të mos dominonte mbi të tjerët. Dy dekada më vonë, mbajtja e një qasje tolerante ndaj një regjimi autokratik në Serbi, po i minon seriozisht themelet e sigurisë së Ballkanit Perëndimor, dhe po kërcënon ta shtyjë rajonin drejt konflikteve të reja të armatosura.
Mendimi i dëshiruar dhe deklaratat e parakohshme të suksesit, si nga Uashingtoni po ashtu edhe nga Brukseli, kanë shërbyer vetëm për të forcuar forcat autokratike dhe etno-nacionaliste në rajon.
Administrata e Donald Trump regjistroi disa suksese të prekshme duke e futur në NATO Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, si dhe duke ndërmjetësuar arritjen e një marrëveshje të përhershme midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë.
Megjithatë, ajo nuk arriti të garantojë njohjen e ndërsjellë ndërshtetërore ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, apo të sigurojë integritetin territorial të Bosnje-Hercegovinës.
Nga ana tjetë, luajti rrezikshëm me idenë e ndarjes së shteteve përgjatë vijave etnike, një recetë kjo që çon me siguri në shpërthimin e luftës së radhës në rajon.
Ndërkaq, e pamjaftueshme ka rezultuar edhe politika e Bashkimit Evropian në Ballkan. Brukseli ka dështuar të sigurojë anëtarësimin për asnjë shtet, që kur Kroacia hyri në union një dekadë më parë. Ndërsa shtimi i vazhdueshëm i kushteve të reja, i ka shërbyer zhgënjimit të mëtejshëm të qytetarëve dhe ka inkurajuar radikalët.
Përpjekjet e BE-së për të “normalizuar” marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës, janë shndërruar në një parodi, me negociatat e ritualizuara që dështojnë vazhdimisht të trajtojnë problemin rrënjësor. Iluzionet e progresit nuk mund ta fshehin paaftësinë për ta bindur Serbinë që të paktën ta njohë Kosovën de fakto, nëse jo de jure.
Dhe është më se e qartë se pa një “normalizim” të tillë ndërshtetëror, do të vazhdojë të ushqehet ndarja etnike. Përveç kësaj, pesë shtete të Bashkimit Evropian nuk e njohin ende pavarësinë e Kosovës, dhe në këtë mënyrë kontribuojnë në gjendjen e tensionuar në rajon.
Pasiguria rajonale gjenerohet kryesisht nga një regjim në Beograd, i cili synon ta ndajë Kosovën dhe Bosnjën, dhe të dominojë Malin e Zi. Presidenti autokrat i Serbisë, Aleksandar Vucic, e qetëson Uashingtonin duke u angazhuar në bisedime të pakuptimta me Prishtinën, dhe pretendon se ai kërkon një “qasje të ekuilibruar” midis Perëndimit, Rusisë dhe Kinës.
Njëkohësisht ai ruan një aleancë me presidentin rus Vladimir Putin dhe e lejon Serbinë të jetë një derë e hapur për planet subversive ruse në Ballkan. Megjithatë, demonstratat masive aktuale në Beograd tregojnë se Serbia mund të jetë në prag të një revolucioni demokratik për ta zëvendësuar regjimin e korruptuar, autokratik.
I frikësuar nga humbja e pushtetit, Vucic mund të përshpejtojë konfliktin në rajon për të larguar vëmendjen nga presionet e brendshme në rritje. Në rast se përgjigja e Uashingtonit ndaj provokimeve të tilla perceptohet si e dobët, sulmet e fundit nga bandat e organizuara ndaj policisë së Kosovës dhe trupave të NATO-s në Kosovën e Veriut mund të jenë preludi i trazirave më të gjera të nxitura nga Beogradi.
Një qasje e pa vendosur e Perëndimit e cila e toleron sabotazhin e Beogradit, ka më shumë gjasa të çojë drejt dhunës, sesa një politikë që fokusohet në konsolidimin e shtetit në Bosnje Hercegovinë, Mal të Zi dhe Kosovë dhe neutralizon të gjitha projektet ekspansioniste mbarëkombëtare.
Në rast se Brukseli dhe Uashingtoni nuk japin një afat të caktuar kohor për njohjen e ndërsjellë midis Serbisë dhe Kosovës, dhe nuk specifikojnë pasojat ekonomike dhe diplomatike të mosnjohjes, përfshirë shkurtimin e ndihmës ekonomike, Vucic do të vazhdojë të manipulojë mosmarrëveshjen për të tubuar rreth vetes nacionalistët dhe për të polarizuar shoqëritë.
Ngjashëm, nëse në Bosnje nuk ka një nxitje institucionale kundër separatizmit serb dhe kroat dhe një vendosmëri për ta fuqizuar qeverinë qendrore duke e reduktuar rolin e njësive autonome, vendi do të mbetet i prirur ndaj destabilizimit të brendshëm dhe të jashtëm.
Në një periudhë të trazirave rajonale, Uashingtoni duhet të dërgojë një mesazh të qartë se i mbështet aspiratat e popullit serb për zgjedhje të ndershme dhe një qeveri demokratike që mbron plotësisht integritetin e fqinjëve të Serbisë.
Vetëm një administratë pro-perëndimore në Serbi, që ndërpret lidhjet korruptive të Beogradit me Moskën dhe heq dorë nga çdo lloj ambicie ekspansioniste rajonale, mund të bëhet një partnere e vërtetë për Uashingtonin. Dhe pa një strategji vendimtare të Amerikës që përmban qëllime konkrete, një kalendar, shpërblime dhe ndëshkime për të gjithë protagonistët, Ballkani Perëndimor mund të rrëshqasë sërish drejt luftës. /albeu.com