Policia maqedonase heq mbishkrimet “E duam Çamërinë” (FOTO LAJM)

Policia e Shtetit në Maqedoninë e Veriut ka hequr disa banderola në Shkup që ishin vendosur në kuadër të fushatës “Të dua Çamëri”. Mediat shqiptare në Maqedoni shkruajnë se për këtë organizim ishin vendosur banderola me këtë mbishkrim, por janë hequr.

Erduan Dauti, njëri prej organizatorëve të këtij manifestimi tha se shpreson që ky veprim nga institucionet përkatëse të mos ndikojë tek qytetarët për të mos u bashkuar në marshin e paqes, që do të mbahet ditën e enjte.

“Njëra nga aktivitetet ka qenë edhe zbukurimi apo vendosja e banderolave nëpër çarshi të Shkupit dhe nëpër disa vende në Shkup, por fatkeqësisht nga ana e policisë ato banderola në disa vende janë larguar edhe pse për këtë organizim.Ne kemi marrë edhe leje paraprake nga ana e organeve kompetente por fatkeqësisht siç duket dikujt këto banderola i kanë penguar dhe i kanë larguar, por shpresojmë se kjo nuk do të ndikoj, dhe ditën e enjte qytetarët në mënyrë paqësore t’i bashkëngjiten këtij marshi,” – deklaroi Dauti.

Ndërkohë që ende nuk ka një shpjegim nga autoritetet përkatëse për sqarimin e arsyes së heqjes së banderolave.

Shtuar 22.06.2021 23:52