Një telefonatë e policëve të rendit që i kërkuan të paraqitet në drejtori dhe të rifreskojë lejen e çiftes, ia ka sjellë mendjen në vend një shtetasi në Tiranë. Ndonëse për vite me radhë që prej 2014 kishte harruar që të çapitej drejt policisë dhe të tregonte se në çfarë rrethanash i kishte humbur çiftja, ai u kujtua se duhet ta bënte këtë gjë pas apelit policor.
Ky episod për humbjen e çiftes u investigua nga agjenti I. E. që radhit qëndrimin e 60-vjeçarit me inicialet L. P. I moshuari sipas burimeve policore e kujton mirë se ia vodhën armën e gjahut, por që për një kohë të gjatë dhe jo një ditë e dy, por disa vite me radhë ai harroi krejtësisht të denonconte derisa kujtesa i erdhi nga policia.
“Mbi dhjetë vjet më parë u pajisa me leje për armë gjahu tip shotgun për të cilën u pajisa me leje nga komisariati juaj. Në vitin 2014, nuk më kujtohet mirë, nëse ishte korrik apo qershor shkuam së bashku me tre kolegët e mi për gjueti në malin e gjerë në Gjirokastër. Atë ditë e kaluam në atë zonë, pasi kishim marrë ushqime me vete dhe hëngrëm drekën dhe konsumuam alkool. Pastaj na zuri gjumi”, rrëfen 60-vjeçari nga Tirana.
Pikërisht duket se këtë moment ku gjuetarët flinin për terezinë e tyre dikush e ka shfrytëzuar dhe u ka vjedhur armën, së paku kështu pretendon L. P.
“Të nesërmen kur jemi zgjuar dhe do niseshim për në Tiranë unë konstatova se armën që e kisha me vete, ma kishin vjedhur gjatë kohës që isha në gjumë. Bashkë me armën kam pasur me vete edhe dokumentet e armës së gjahut”, vijon më tej para agjentëve gjahtari, që doli vetëm një herë për gjah në jetën e tij, por s’pati fat të gjuante ndonjë kafshë. Krahas këtij fati të keq atij ju shtuan dozat e tersit edhe me humbjen e armës.
Denoncuesi thekson në polici sipas burimeve të gazetës Si se nuk u paraqit në policinë e Gjirokastrës për të treguar këtë ngjarje, sepse kishte vendosur që denoncimin ta depozitonte në kryeqytet. Kjo konsiderohet nga L. P si një tipar neglizhence e tij.
“Por mbasi erdha në Tiranë, unë u ktheva në punë dhe e neglizhova fare pjesën e armës, pasi nuk jam qejfli gjuetie që të kujtohesha sërish për të. Sqaroj se ishte hera e parë që shkoja për gjueti dhe nuk kam shkuar herë tjetër”, këmbëngul shtetasi L. P, i cili me siguri është gjuetari më i çuditshëm që ndonëse kishte marrë leje arme e humbi atë dhe u kujtua më tepër se 6 vite me vonesë që ia kishin vjedhur. Se si do ia gjejë policia armën dhe si do ta zbardhë të vërtetën mbetet për t’u parë. /si