Lëvizja Vetëvendosje – Qendra Prishtinë ka reaguar pas vendimit për shtrenjtimin e biletave njëdrejtimëshe në Prishtinë, të cilat nga 1 korriku do të rriten nga 50 centë në 80 centë.
Sipas kësaj partie, rritja e çmimit të biletës në transportin urban dëshmon se qeverisja e PDK-së dhe LDK-së në Prishtinë ka zgjedhur që barrën e dështimeve të veta t’ua ngarkojë qytetarëve.
Të lidhura
None found
Në reagimin e Vetëvendosjes thuhet se pas pesë vitesh qeverisjeje, rezultati është i qartë: nuk është shtuar asnjë autobus i ri për Trafikun Urban, nuk janë përmirësuar kushtet për udhëtarët dhe nuk ka pasur rritje të cilësisë së shërbimeve. Sipas tyre, në vend të investimeve dhe reformave, qytetarëve po u ofrohet vetëm një biletë më e kushtueshme.
Vetëvendosje thekson se PDK dhe LDK e kërkuan votën e qytetarëve duke premtuar zgjidhje për trafikun dhe transportin publik. Sipas reagimit, Uran Ismaili, partneri kujdestar i Përparim Ramës, kishte premtuar transport publik falas, por sot, me PDK-në në pushtet, qytetarët përballen jo me transport falas, por me një biletë dy herë më të shtrenjtë.
Më tej, në reagim thuhet se kjo dëshmon se për PDK-në dhe LDK-në, premtimet zgjasin vetëm deri në ditën e zgjedhjeve. Pas tyre, sipas Vetëvendosjes, qytetarët përballen me tarifa më të larta, ndërsa Kryeqyteti vazhdon të ketë të njëjtat vështirësi: mungesë autobusësh, shërbim të pamjaftueshëm, pritje të gjata dhe mungesë vizioni për zhvillimin e transportit publik.
Kjo parti shprehet gjithashtu se Komuna e Prishtinës ka planifikuar mbi 8 milionë euro për transportin publik në vitin 2026 dhe se këto janë mjete të qytetarëve, të mbledhura nga taksat e tyre.
Sipas Vetëvendosjes, pavarësisht këtij financimi, qeverisja e Përparim Ramës ka vendosur të rrisë edhe çmimin e biletës, duke bërë që prishtinasit të paguajnë dy herë për të njëjtin shërbim: një herë përmes taksave dhe një herë përmes biletës së shtrenjtuar.
Në reagim thuhet se ky vendim është marrë pa një analizë të qartë, pa logjikë ekonomike dhe pa vizion zhvillimor. Për këtë arsye, Vetëvendosje kundërshton vendimin dhe kërkon nga ekzekutivi i Kryeqytetit që ta tërheqë atë menjëherë.
Sipas Lëvizjes Vetëvendosje-Qendra Prishtinë, Prishtina nuk ka nevojë për bileta më të shtrenjta, por për më shumë autobusë, transport publik më efikas, shërbime më cilësore dhe një vizion të qartë për mobilitetin urban. Mbi të gjitha, thuhet se qyteti ka nevojë për një qeverisje që i mban premtimet e dhëna qytetarëve.
Një ditë më parë, Komuna e Prishtinës bëri të ditur se bileta e autobusit do të kushtojë 60 centë nëse pagesa kryhet përmes sistemit digjital.
Deri më tani, një biletë ditore kushtonte 80 centë, ndërsa tani ajo do të bëhet 1.2 euro në pagesë me para në dorë dhe 1 euro përmes “Kuletës Digjitale”.
