Nëntë persona janë arrestuar si rezultat i një operacioni policor kundër krimit të organizuar, i zhvilluar nën drejtimin e Prokurorisë Speciale dhe Drejtorisë për hetimin e Krimeve të Rënda dhe Krimit të Organizuar në Policinë e Kosovës, me mbështetjen e Doganës dhe Administratës Tatimore të Kosovës.
Prokuroria ka bërë të ditur se, në zbatim të urdhrit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, janë ushtruar kontrolle në gjithsej 21 lokacione.
Të lidhura
None found
Sipas njoftimit, gjatë kontrollit janë sekuestruar 15 mijë euro, 5 vetura, 5 autobot për transport të derivateve, 2 armë zjarri, 54 fishekë, pajisje elektronike, dokumente të ndryshme dhe prova të tjera relevante për rastin, si dhe 301 euro në kartëmonedha prej 2 eurosh, për të cilat dyshohet se janë të falsifikuara.
“Në këtë operacionin policor kanë marrë pjesë njësitë relevante të Policisë, Doganës dhe ATK-ja. Hetimet e përbashkëta kanë çuar në arrestimin e F.M., F.M., M.M., S.K., N.B., D.M., A.M., N.M., dhe G.Q., të cilët dyshohen për kryerjen e veprave penale: Shpëlarje e parave, Kontrabandimi I mallrave në bashkëkryerje; Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar; Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin dhe Shmangie nga tatami”, thuhet në njoftim.
Në përfundim të njoftimit theksohet se aksioni është realizuar në kuadër të veprimeve procedurale hetimore. Pas mbledhjes së informacioneve dhe sigurimit të provave, është krijuar dyshimi i arsyeshëm se të arrestuarit kanë funksionuar si grup i strukturuar kriminal, duke paraqitur dokumente të rreme që lidhen me tatimet dhe duke kryer shitje e transaksione fiktive të derivateve të naftës.
Më herët gjatë ditës, KosovaPress raportoi se Prokuroria Speciale, së bashku me Doganën e Kosovës dhe Policinë e Kosovës, kishin ndërmarrë një aksion të gjerë, në kuadër të të cilit u kryen bastisje në disa lokacione.
Nga ky aksion, Dogana e Kosovës, përkatësisht drejtoria e hetimeve në doganë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka nisur hetime mbi dyshimet për shmangie tatimore dhe futje të ujit në vend të naftës (përzierje).
Burime të KosovaPress bëjnë të ditur se dokumentet për mospagesë tatami janë fshehur në tetë shtëpi private. Po ashtu, ka nisur procesi i verifikimit të personave që ndodhen në këto tetë lokacione.
Nga aksioni i sotëm pritet të ketë edhe arrestime.
Një prej pikave ku është kryer bastisje ka qenë edhe rruga “Rrustem Statovci” në Prishtinë, ku ekipi i KosovaPress ka filmuar pjesëtarë të Njësisë Speciale. Megjithatë, Policia e Kosovës nuk e ka konfirmuar nëse këto bastisje lidhen me praninë e Njësisë Speciale në “Rrustem Statovci” në Prishtinë.
